E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, ndalohen ndërtimet për 45 ditë

Ndotja akustike/ Veç kufizimit të orëve për lokalet e natës, do të ndalohen dhe mjetet e rënda të ndërtimit


Që nga data 15 korrik deri më 30 gusht kryebashkiaku ka vendosur ndalimin e zhurmave nga çekiçët


SARANDË - Zyra e Inspektoriatit Mjedisor në Sarandë, publikoi dje vendimin që kufizon kohën e muzikës së lartë nëpër lokale nate, por dhe punën e çekiçeve pneumatikë, që godasin tokën gjithandej në Sarandë e periferi, për hapje terrenesh ndërtimi.


Për muzikën, vendimi bazuar në atë të para disa ditëve, nxjerrë nga Këshilli i Ministrave, parasheh që nga e hëna në të enjte lokalet e natës në qendrat e banuara do të jenë të hapura nga ora 19:00 - 23:00, ndërsa të premten, të shtunën dhe të dielën, nga ora 19:00 - 00.00.


Shefja e Zyrës së Inspektoriatit Mjedisor të Sarandës, Areti Papadhima, tha se problem mbetet dhe niveli i lartë zhurmave që shkon deri në 90 decibelë, ndërkohë që limiti është 55 decibelë. Edhe për këtë aspekt, sipas saj, do të ketë kontrolle dhe masa, bazuar në ligjet në fuqi.


Ndërsa, sa u përket zhurmave që vijnë prej çekiçëve pneumatikë, është një vendim i kryetarit të Bashkisë Sarandë, Edmond Gjoka, për ndalimin e punës së tyre nga 15 korriku deri më 30 gusht, bazuar dhe ky vendim te ligji për kontrollin dhe administrimin mjedisor.


Papadhima tha se kjo periudhë do të jetë e karakterizuar nga kontrolle të shumta nga ana e Inspektoriatit të Mjedisit për të vëzhguar zbatimin në terren të vendimeve. "Nëse do të hasen shkelje, gjobat do të variojnë nga 1 - 2 milionë lekë, siç e parashikon ligji", sqaron ajo.


Saranda, është ndër ato qytete që më së shumti vuan nga ndotja akustike. Përjashto muzikën e lartë nëpër lokalet e natës përgjatë sezonit veror, problem janë dhe zhurmat që vijnë prej automjeteve të rënda si çekiçë, fadroma, betoniere, etj., për shkak të ndërtimeve të shumta.


Për këtë arsye, ndodh që kur vjen sezoni veror, çdo pushues të interesohet për dy aspekte para se të zërë hotel: A ka ndërtime dhe lokal nate afër hotelit? Saranda është e denjë për bienale gjatë sezonit turistik; ta bartësh atë të gjithin si qytet paradoksesh, për ta ekspozuar (me videoprojektor sigurisht), pse jo dhe në Venecia.


Dhe ndër paradokset e shumta janë dhe ato që shfaqen në pikëtakimin e ekstremeve: gjysma e njerëzve bëjnë plazh, gjysma ndërtojnë; aty ku ritmon jeta e qejfit, po aty ritmon dhe jeta e etheve të ndërtimit; aty ku sheh një "mercedez", ngjitur me të është dhe një fadromë apo betoniere; aty ku sheh kurmin e hajthëm të ndonjë plazhisteje, aty të zë syri dhe punëtorë fytyrëreshkur e që kullojnë djersë pune prej muskujsh vitalë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›