E Diel, 1 Nëntor 2026

Plehrat, Bashkia e Vlorës gjobitet me 1 milion lekë

Nënkryetari i bashkisë e quajti gjobën tendencioze: Plehrat kanë 20 vjet që digjen në të njëjtin vend

VLORË - 1 milion lekë të reja është vlera e gjobës që Agjencia Rajonale e Mjedisit të qarkut Vlorë i ka vendosur Bashkisë së Vlorës. Vetë agjencia i është referuar ligjit mbi "administrimin mjedisor të mbetjeve të ngurta", duke e justifikuar masën e gjobës me disa arsye të rreshtuara në një shkresë përcjellëse.


"Nga inspektimi i kryer në fushën e grumbullimit janë konstatuar disa shkelje si "Fusha e depozitimit është e parrethuar, mbetjet ishin të grumbulluara në togje dhe po digjeshin me drejtimin e tymit nga qyteti. Vetë fusha e depozitimit në afërsi të saj ka shumë objekte, banesa në proces legalizimi.


Grumbullimi i mbetjeve dhe asgjësimi i mbetjeve nuk bëhet me teknika dhe teknologji përkatëse, por u vërejt djegie në natyrë dhe ndotje e mjedisit në masë të konsiderueshme nga djegia e plehrave.


Kjo fushë e depozitimit të mbetjeve është jashtë çdo lloj kushti teknik dhe krijon ndotje të mjedisit përreth dhe shqetësime për komunitetin e zonës". Nënkryetari i bashkisë Vlorë, Edmond Leka, e ka cilësuar deri tendencioze vendosjen e kësaj gjobe.


Sipas tij, ka më shumë se 20 vjet që qyteti i Vlorës i djeg mbeturinat në të njëjtin vend dhe për këtë arsye ky shqetësim është ngritur edhe tek qeveria shqiptare për t'u gjetur landfilli për grumbullimin dhe përpunimin e plehrave. "Është një ngërç që vijon, sidomos i dukshëm prej katër vitesh.


Po ashtu janë marrë kontakte të vazhdueshme me qarkun e Vlorës, pasi është institucioni i qarkut që duhet të vendosë përfundimisht pikën e grumbullimit të mbetjeve urbane dhe më pas djegien e tyre. Janë përcaktuar disa pika që janë katër vende gjithsej, por është një investim shumë i madh që ende nuk është marrë përsipër.


Vetëm në projektin e landfillit të Vlorës qeveria kishte vënë në dispozicion rreth 200 mijë euro, të cilat më vonë i tërhoqi dhe vendi i fundit që është rënë dakord për t'u ndërtuar, ka një kundërshtim nga ana e qarkut, për arsye se rritet kostoja e transportit të mbetjeve. Pranë një kodre në fshatin Sherishtë është vendi i duhur, por e theksoj se mungon investimi.


Investim ky që duhet të jetë nga ana e qeverisë shqiptare dhe mendohet të zgjasi në kohë". Leka tha se ata do të ankimohen. Gjoba sipas tij e ka një tendencë, pasi këto mbetje urbane ka gati 20 vjet që grumbullohen në atë pikë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›