Grabiten 7 ikona në kishën e Shën Gjergjit
GJIROKASTER - Grabitet natën me thyerje kisha e Shën Gjergjit në fshatin Jorgucat të Gjirokastrës. Sipas policisë, persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur shtatë ikonat e skalitura të kësaj kishe që ndodhet 25 kilometra në jug të qytetit të Gjirokastrës. Mungesa e ikonave, dy prej të cilave i përkisnin shekullit të XVIII dhe pesë të tjera të shekullit XX, është konstatuar në orët e para të mëngjesit të së shtunës nga mirëmbajtësi i kishës. “Sapo jemi njoftuar nëpërmjet sallës operative, në vendngjarje kanë shkuar ekspertët e kriminalistikës, të cilët kanë grumbulluar prova materiale për të zbuluar autorët që kanë kryer vjedhjen”, bënë të ditur burime të policisë. Autorët janë futur përmes portës kryesore të kishës, duke e shqyer me mjete të forta. Ndërkohë, përgjegjësi i kishës së Shën Gjergjit, Kosta Franko, u shpreh se shtatë ikonat e grabitura ishin transferuar në këtë kishë pas vitit 1990 nga manastiri i Ilijas, që ndodhet në pjesën sipërme të fshatit Jorgucatit. Kjo u bë për arsye sigurie. Kisha e Shën Gjergjit është ndërtuar në vitin 1932. Ajo është e mbuluar me çati druri, pa tavan. Në pjesën lindore del jashtë absida e madhe trefaqëshe dhe anash saj janë hapur niket rrethore. Dyshemeja është shtruar me plloça guri, ndërsa muret janë ndërtuar me gurë të lidhura me llaç gëlqereje. Ky është rasti i parë gjatë këtij viti, që ikonat bien pre e grabitësve në Qarkun e Gjirokastrës. p.n