E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pogradec, kapet trafikanti me grupin e klandestinëve

 

POGRADEC - Arrestohet në flagrancë 21–vjeçari në tentativë për të trafikuar në Greqi një grup klandestinësh. Policia e Pogradecit bëri të ditur se në bashkëpunim me sektorin e luftës kundër trafiqeve, prangosën Emiljano Capon. Ai ishte duke ndihmuar për të kaluar përmes zonës kufitare në afërsi të kufirit me Maqedoninë disa persona. Ata ishin duke kaluar në muzg të së premtes përmes kufirit të gjelbër për të hyrë ilegalisht në Maqedoni. Capo, nga fshati Gështenjas i Pogradecit, e njihte mirë zonën dhe sipas policisë ishte marrë edhe herë të tjera me këtë trafik. Ai bashkë me klandestinët janë ndaluar nga policia pak metra larg kufirit. Sipas policisë, 21–vjeçari tentoi të largohej, por nuk ia arriti. Bashkë me të u shoqëruan edhe grupi i refugjatëve, të cilët përmes Maqedonisë do të kalonin në Greqi si emigrantë ekonomikë. Ata u morën në pyetje dhe deklaruan se i kishin paguar udhërrëfyesit të tyre 800–1000 Euro për person. Sipas policisë, grupi i klandestinëve ishin banorë të Përrenjasit, Librazhdit dhe Elbasanit, të gjithë të afërt me njëri-tjetrin. Shumica prej tyre nuk kishin asnjë dokument me vete. Burime të policisë bënë të ditur se kishin siguruar më parë të dhëna operative për veprimtarinë e 21–vjeçarit, ndërsa po hetohet për persona të tjerë pjesëtarë në këtë rrjet trafiku.                 j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›