E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, ushtria pastron plazhin

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Aksion i repartit të ushtrisë së Bunavisë për pastrimin e plazhit në zonën e Pyllit të Sodës në Vlorë. Katër ditë pas alarmit për katastrofë ekologjike, pasi 60 tonë mbetje nafte dhe solari u hodhën në det, mbi 100 ushtarë punuan dje gjatë gjithë ditës për pastrimin e zonës së ndotur. Aksioni do të vijojë në pastrimin e gjithë zonës, me një gjatësi prej 200 metra të vijës bregdetare.
Shefi i Shtabit të përgjithshëm, në repartin e Bunavisë, Vilson Bufazi, u shpreh se operacioni i pastrimit të plazhit është ndërmarrë, jo vetëm si detyrim qytetar, por edhe si detyrim kushtetues, që ushtria ka në raste të emergjencave civile.
“Janë mbi 100 ushtarë të caktuar në këtë aksion për pastrimin e gjithë zonës. Brenda pak ditëve gjithçka do të ketë përfunduar dhe plazhi do të jetë i pastër dhe i gatshëm për pushuesit”, u shprehën drejtuesit e këtij reparti. Rekrutët e Bunavisë do të pastrojnë jo vetëm pjesën e rërës së ndotur nga mbetjet e naftës e të solarit, por do të hiqen gjithashtu edhe leshterikët përgjatë kësaj vije bregdetare. Në vendin e ndotur do të zëvendësohet rëra, e cila ishte mbushur në disa thasë plastikë, ndërsa mbetjet e grumbulluara nga rëra e papastër do të hidhen në një pikë të përcaktuar nga bashkia e Vlorës. Dje u pastrua një pjesë e mirë e këtij plazhi, ndërsa deti i trazuar ndikoi në vetëpastrimin e saj. Brenda pak ditësh sipas burimeve të mjedisit plazhi do të jetë sërish i pastër dhe i gatshëm për të pritur pushues. Ngjarja ndodhi më 3 qershor, kur tre persona (të arrestuar) punonjës të firmës “Arkan Junior” kishin marrë mbetje nafte nga anija “Guildo”, që transporton naftë nga Shqipëria në Itali, por edhe shtete të tjera. Këto mbetje duhej të hidheshin më pas në një vend të përcaktuar nga shteti, në Fier. Por punonjësit e firmës i kanë rënë më shkurt, duke hedhur 4 autobote me mbetjet e naftës në kanalin që lidh hidrovorin me detin, duke shkaktuar një dëm të madh mjedisor. Si pasojë e derdhjes në mënyrë të paligjshme të kësaj nafte u ndot “kanali i motorit” (poshtë hidrovorit), e cila më pas u përhap në gjithë sipërfaqen e detit të asaj zone. Ngjarja ndodhi ditën kur kryeministri Berisha ishte në Vlorë për të inauguruar portin e ri të petroliferës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›