E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitën makinën e varësen 50 mijë euro, dy në pranga



LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

Grabitën emigrantin, arrestohen dy prej autorëve. Policia e Lezhës, në kuadër të operacionit “Shqiponja e Artë” prangosi në orët e para të ditës së djeshme Alfred Beleshin, 27 vjeç dhe Adi Margjinin, 18 vjeç. Ata akuzohen se në 10 shkurt të këtij viti kanë vjedhur me dhunë një emigrant, duke i rrëmbyer atij makinën dhe të gjitha sendet me vlerë që kishte me vete. Mes tyre dhe një varëse qafe, vlera e së cilës llogaritej me vlerën prej 50 mijë eurosh. Burimet zyrtare të policisë thanë se, viktima ishte A.Margjini, i afërm i njërit prej të arrestuarve. Mbrëmjen e 10 shkurtit, emigranti po dilte nga një lokal në qytetin e Lezhës dhe po hipte në makinën e tij fuoristradë. Por, me të hapur makinën, ai ka pohuar se pesë persona të maskuar, të cilët dyshohet se kanë ndjekur lëvizjet e tij, e kanë rrethuar dhe nën kërcënimin e armëve i kanë rrëmbyer të gjitha objektet me vlerë, paratë dhe dy celularë. Autorët kanë hipur në makinë dhe janë larguar në drejtim të Shkodrës, duke e lënë emigrantin në mes të rrugës dhe pa asnjë mundësi komunikimi për të kërkuar ndihmë. Pas ngjarjes, A.Margjini i është drejtuar policisë për të bërë denoncimin, ndërsa uniformat blu të Lezhës kanë nisur menjëherë hetimet dhe analizuan me kujdes mënyrën e grabitjes dhe vendin ku kishte ndodhur grabitja. Hetimi i kësaj ngjarjeje për më shumë se një muaj hodhi dyshimet mbi faktin se një person i njohur me emigrantin mund të ketë qenë pjesë e grupit. Kjo, pasi sipas hetuesve, autorët kanë ditur çdo lëvizje të tij, faktin që kishte para e ishte kthyer nga Italia, duke organizuar dhe planin e grabitjes. Mësohet se policia ka futur në përgjim personat e dyshuar, duke gjetur prova për implikimin e tyre. Gjatë bisedave mes tyre, autorët diskutonin mbi vendin e fshehjes së mjetit, se si do të ndanin paratë dhe ku do të çonin varësen e shtrenjtë për shitje. Debatet për objektet e vjedhura kanë provuar dhe grabitjet. Të arrestuarit e parë, sipas policisë janë Alfred Beleshi dhe Adi Margjini, të dy me origjinë nga Mirdita dhe banim në Lezhë. Marrja në pyetje e tyre, pranimi i grabitjes dhe hetimet intensive të policisë kanë bërë që dy të arrestuarit të tregojnë edhe bashkëpunëtorët e tyre, që kanë marrë pjesë në grabitjen e A.Margjinit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›