Papandreu: E kaluam më të keqen e krizës financiare
Për herë të parë që kur ka ardhur në pushtet, Kryeministri grek, Jorgo Papandreu ka deklaruar se kulmi i krizës greke ka kaluar dhe tani vendi është drejt rikuperimit. Kriza greke ishte më e keqja që ka mbërthyer këtë vend, që nga Lufta e Dytë Botërore, kur të gjitha vendet ishin zhytur në recesion. Kjo krizë, në një vend të eurozonës ka kërcënuar seriozisht monedhën e përbashkët evropiane, fuqia e së cilës në treg ka qenë në varësi të deklaratave mbi situatën në Greqi dhe dyshimet për miratimin e paketës së ndihmës nga eurozona. “Më e keqja e krizës financiare së Greqisë ka kaluar, por vendi i mbytur në borxhe duhet të luftojë favorizimin dhe të shkurtojë shpërdorimet për të pasur një komb më të fortë”, kështu është shprehur Kryeministri grek, Jorgo Papandreu. Qeveria e tij ka prezantuar masat e kursimit dhe ka fituar një paketë shpëtimi “në gatishmëri” nga liderët e eurozonës, për ta ndihmuar të kalojë krizën e borxhit, por vazhdon të përballet me koston e lartë të borxheve, e cila vazhdon të jetë më shumë se dyfishi i vendit të fuqishëm evropian, Gjermanisë. “Kredibiliteti është kthyer për Greqinë. Sigurisht këto janë ndryshime afat shkurtra. Ne duhet të bëjmë ndryshime akoma më të thella, për të cilat po punojmë”, është cituar Papandreu nga “Reuters”, nga transkripti i një interviste të gjatë për revistën “Time”, që do të botohet më 12 prill. “Mendoj se më e keqja ka kaluar, por ne kemi shumë punë për të bërë, punë të vështirë”, tha Papandreu. Kreu i Qeverisë greke ka pranuar problemet e forta që ka në Greqi, me të cilat Qeveria e tij duhet të luftojë, si korrupsioni, eliminimi i shpërdorimeve, dhe decentralizimi i administratës për t’u larguar nga sistemi i abuzimit me pronat, ku zyrtarët mund të favorizojnë për shkak të lidhjeve personale apo interesave. Liderët e eurozonës e mbështetën paketën e masave të ashpra të kursimit, të miratuar nga Qeveria e Papandreut dhe analistët u shprehën se masa të tilla do të parandalonin zhytjen më të thellë në krizë. Por Greqia është mbërthyer edhe nga demonstrata mbarëkombëtare, të cilat janë të organizuara nga shoqata të ndryshme të punëtorëve, të të papunëve, të cilat kundërshtojnë fort masat që prekin fitimet e tyre të pakta. Ka pasur edhe dyshime se Qeveria mund të humbiste durimin nga këto greva dhe situata mund t’u dilte nga duart. “Dhimbja është ende aty sepse ka shkurtime rrogash, masat ekonomike janë të hidhura dhe populli do t’i ndjejë këto edhe në disa vite të ardhshme”, tha Papandreu. “Por nëse ne bëjmë atë që është e nevojshme për t’u bërë, do të dalim nga kriza më të fortë dhe më të qëndrueshëm. Dhe kjo është shpresa ime, dhe besimi im, se ne do ta kalojmë këtë”, shtoi. Greqia po përpiqet që të zvogëlojë borxhin prej 300 miliardë eurosh, që e kalon 240 miliardët e GDP-së vjetore, dhe ajo ka për të marrë hua rreth 16 miliardë euro për të shlyer borxhin dhe për të mbuluar shpenzimet, rezultati pozitiv i të cilave duhet të tregohet deri në fund të majit.