E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Opozita të votojë ligjet me 84 vota

“Pavarësisht kundërshtimeve, duhet bashkëpunim”. Dekretet, Topi: Asnjë presion mbi Presidentin

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u bën thirrje dy partive kryesore në vend që të gjejnë konsensusin për miratimin e ligjeve të rëndësishme. Ai kërkon nga opozita që të bashkëpunojë me mazhorancën dhe të bashkojë votat për ligjet që kërkojnë 84 vota. Duke shprehur shqetësimin për mungesën e miratimit në Kuvend të krijimit të Gjykatës Administrative, z. Topi deklaroi mbrëmë në “Top Story” se këto ligje u shërbejnë interesave të shqiptarëve, ndaj palët duhet të lëshojnë nga vetja dhe të arrijnë konsensusin e plotë. Sipas tij, çdo individ, çdo njeri mund të bëjë më shumë që të forcojë komunikimin, pastaj çështjet e vendimmarrjeve politike janë çështje të numrave, sepse demokracia përkthehet në numra. Topi u shpreh se në momentin që ke numra, çdo votëbesim kalohet. Kreu i shtetit vë në dukje se në rast se ke numra, çdo ligj miratohet. Në rast se nuk ke numra, shton ai pastaj, konsiderohet krizë. Fakti që janë numrat, ata vazhdojnë të jenë. Sipas Presidentit, këto janë kriza të komunikimit, të mungesës së bashkëveprimit për të bërë edhe ligje të përbashkëta. Pra, vijon Topi, demokracia është ndërtuar në mënyrë të tillë që nuk ka vetëm ligje që miratohen me votime të thjeshta. “Është ndërtuar në mënyrë të tillë që për gjëra që janë shumë të rëndësishme, për gjëra që kërkojnë patjetër një konsensus më të gjerë, patjetër kërkohen votime që janë me 3/5, që quhen votime të cilësuara, votim me 2/3, pra, sipas rëndësisë së problemit, sipas nevojës së mbështetjes nga përfaqësime që janë më shumë se gjysma e popullsisë konsiderohen votime të cilësuara që domosdoshmërisht kërkojnë edhe një konsensus politik”, - deklaroi z. Topi. Gjatë kësaj interviste kreu i shtetit analizon situatën e fundit politike, ndërsa ndalet gjatë në arritjen historike për shqiptarët, atë të lëvizjes së lirë drejt zonës Shengen.

Por kur bëhet fjalë për integrim të plotë në BE, ai këmbëngul: “Gjithmonë kam qenë me idenë se duhet të ketë bashkëpunim, pavarësisht nga kundërshtimet. Ky bashkëpunim, në rast se nuk realizohet nga aktorët politikë, natyrisht, që lë shumë për të dëshiruar, për të shpresuar në zgjidhje”.

Të njëjtin qëndrim Presidenti Topi shpreh edhe në rastin e ligjeve për reformën e drejtësisë. “Bashkëpunimi për të realizuar ligje që konsiderohen të cilësuara, për sa i përket votimit, sjell pasoja në mënyrën e funksionimit të sistemeve të tjera. Sistemi i drejtësisë në Shqipëri, domosdoshmërisht, është një sistem që qëndron në këmbë, në sajë të vullneteve politike”, - theksoi z. Topi.

Por ai kritikon mënyrën se si u shqyrtuan nga Kuvendi kandidaturat e tij për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese.

“Kriza e dekreteve” vazhdon midis institucionit të Presidentit dhe shumicës, por nuk po ia vë emrin konkret dhe të shumicës, sepse refuzimi i shpeshtë dhe i vazhdueshëm, ai hetim politik i kandidaturave që Presidenti i Republikës ka paraqitur në publik dhe para Kuvendit për Gjykatën e Lartë apo Gjykatën Kushtetuese, jo thjesht është perceptuar si presion politik, por është vlerësuar si presion politik ndaj gjyqësorit, ndaj sistemit të drejtësisë nga ndërkombëtarët, e përfshirë kjo dhe në opinionin e fundit”, - u shpreh Presidenti Bamir Topi. Ai nuk pranon atë që mund të jetë ushtruar presion mbi Kryetarin e Shtetit në rastin e këtyre kandidaturave. “Duhet të kuptoni dhe besoj se e keni kuptuar që nuk ka shans që dikush apo shumëkush të ushtrojë presion larg ushtrimit të funksionit të Presidentit të Republikës”, - deklaroi z. Topi. Ndërsa kur bie fjala për arsyet e refuzimit të kandidaturave të tij, Topi shprehet: “Nuk futem në hollësi; e kam fjalën për të gjitha mënyrat e sjelljes, qoftë në jetën institucionale, qoftë në jetën politike, qoftë edhe private, sepse nuk i paragjykoj të tjerët. Mendoj se është gjithçka pjesë e një komunikimi që vjen nëpërmjet rregullave që ka demokracia. Kjo është arsyeja pse ne themi se niveli i demokracisë është në këtë stad apo në atë stad. Më shumë sesa është media e lirë për ta interpretuar këtë rol, nuk mund të jetë një institucion. Edhe nëse është një institucion i lirë ta bëjë, mund ta bëjë në interesat që ka institucioni i tij, mund të jetë një individ; ndërsa debati që vjen nëpërmjet medias, nëpërmjet analistëve “të pavarur”, pata një ndalesë tek kjo fjalë, sepse të jesh i pavarur, vërtetë duhet të jesh i tillë, por që nëpërmjet analistëve të pavarur, gjërat duhet të dalin siç janë realisht”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›