Grabiten me pistoletë lodër, 5 milionë nga arka e OSSH-së

Dy persona me kaska motorësh hynë në kjoskën e arkëtimit të faturave të energjisë dhe morën që atyre paratë e arkës
Policia ngre dyshimet e para për ngjarjen dhe sipas saj, autorët janë dy persona të moshës 20- 25 vjeç
TIRANË- Grabitet me një pistoletë lodër fëmijësh arka e OSSH-së. Dy persona të armatosur me një pistoletë lodër me përmasa reale, grabitën dje në mesditë një nga filialet e arkëtimeve të faturave të energjisë elektrike të OSSH-së, në rrugën "Arkitekt Sinani", në kryeqytet, duke marrë që andej sipas hetuesve, një shumë prej rreth 3 milionë lekësh sipas policisë. Vetë punonjësit pohojnë se shuma kap shifrën e 5 milionë lekëve.
Ngjarja ndodhi dje rreth orës 15:00, kur dy persona hynë me armë në dorë në filialin nr. 2 të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, që ndodhet jo shumë larg unazës. Ata i drejtuan armën punonjësve të arkës duke iu kërkuar paratë e grumbulluara gjatë ditës prej pagesave dhe faturave të energjisë elektrike të klientëve të tyre.
Dy të rinjtë, pas kërcënimeve arritën të marrin shumën e lekëve në arkën e filialit të OSSH-së. Në kokë mbanin dy kaska, për t'u maskuar ndërsa u larguan më pas me një motor nga vendi i ngjarjes. Vetëm pak minuta pas lajmërimit të punonjësve, policia mbërriti në vendin e ngjarjes për të nisur hetimin.
Punonjësit e filialit u shoqëruan në polici për t'u pyetur për ngjarjen, ndërsa ekspertët nisën të kryenin veprimet e tyre në vendin e ngjarjes për të mbledhur prova të mundshme si gjurmë gishtërinjsh apo elementë të tjerë që mund të ndihmonin policinë në identifikimin e autorëve.
Në momentet e grabitjes, në zyrë kanë qenë dy punonjëse që kryenin veprimet për pagesat e faturave të energjisë elektrike. Njëra prej tyre pohoi dje se dy personat kanë hyrë në zyrat e filialit rreth orës 15 .00 dhe mbanin në kokë kaska, dhe sipas saj menjëherë është kërcënuar për të dorëzuar lekët që gjendeshin në arkë, të mbledhura nga pagesa e faturave të energjisë elektrike gjatë ditës së djeshme.
"Grabitësit ishin dy persona dhe sapo u futën në zyrat e filialit ku punojmë na drejtuan një pistoletë dhe na kërcënuan që të dorëzonin shumën e lekëve që kishim në arkë".
Punonjësit i përshkruan autorët e dyshuar si dy persona një prej të cilëve të gjatë rreth 1.75 m, ndërsa tjetrin rreth 1.65 m.
Ata ishin të veshur me panatallona xhins, ndërsa nga përshkrimi i fituar prej punonjësve të OSSH-së është marrë vesh se një prej personave kishte pak kurriz të dalë. "Unë nuk mund ta dalloja armën nëse ishte e vërtetë apo lodër. Grabitësit u larguan menjëherë dhe në kokë mbanin skafandra",- u shpreh një nga punonjëset e filialit të grabitur dje në mesditë. Në vendngjarje, përveç drejtuesve të policisë, kanë mbërritur edhe zyrtarë të OSSH-së.
Policia e kryeqytetit ka shoqëruar dhe disa klientë të OSSH-së që kishin ardhur për të kryer veprime në zyrën e grabitur. Nga hetimet paraprake në lidhje me ngjarjen mësohet se dy personat dyshohet se kanë përdor armë lodër për të realizuar grabitjen, ndërkohë që akoma nuk janë identifikuar nga policia. Uniformat blu kanë kryer disa kontrolle në zonën ku ndodhet filiali nr. 2 i OSSH-së që u grabit dje në mesditë nga persona ende të pa identifikuar.