Grabiten natën 3 makina dhe 1200 euro në banesë
TIRANE - Tre automjete u grabitën gjatë orëve të natës së mbrëmshme duke gdhirë dita e shtunë në Tiranë. Hajdutët kanë shfrytëzuar errësirën, por edhe situatën e favorshme që reshjet e dendura të shiut kanë krijuar për ta, për të realizuar qetësisht vjedhjet e automjeteve në zona të ndryshme të kryeqytetit. Makinat e vjedhura, të tria janë tip “Benz”, dy me targa Tiranë dhe një me targa Korçe. Në Komisariatin nr.1 janë regjistruar dy kallëzime për vjedhje makinash. Sipas burimeve nga ky komisariat, 53-vjeçari Agim Bllaci ka denoncuar vjedhjen e automjetit tip “Benz” me targë TR 3904 L, të cilën e kishte parkuar para banesës së tij në lagjen “Ali Demi”. Më pas një tjetër person ka bërë kallëzim për të njëjtin problem. Kostaq Torusa, 48 vjeç, i cili kishte ardhur nga Korça për vizitë tek disa të afërm të tij, ka parkuar makinën tip “Benz” me targë KO 3549 B në rrugën “Qemal Stafa” dhe në mëngjes nuk e ka gjetur aty ku e kishte lënë. Një makinë tjetër tip “Benz” me targë TR 9962 K është vjedhur në rrugën “Mihal Duri”. Edmond Përgeci ka denoncuar vjedhjen e makinës së tij në Komisariatin nr.3. Ndërkohë mësohet se ende nuk është bërë i mundur identifikimi i autorëve të vjedhjeve të makinave, por dyshohet se bëhet fjalë për një grup personash që mund ta kenë përqendruar veprimtarinë e tyre në vjedhjen e automjeteve, kryesisht të markave “Benz”. Ndërkohë rreth orës 04:00 të mëngjesit të djeshëm, është vjedhur me thyerje banesa e Bajram Çelës, në afërsi të sheshit “Rilindja”, ku persona të panjohur kanë arritur të marrin 1200 euro, si dhe disa bizhuteri.