Trafiku, bllokohen 1.5 mln euro
Një sasi prej 1.5 milionë eurosh është bllokuar në dy banka të nivelit të dytë, ndërsa poseduesit e kësaj shume akuzohen si anëtarë të një organizate që merrej me trafik e shfrytëzim prostitutash. Gjykata e Tiranës ka vendosur pak ditë më parë të pranonte kërkesën e prokurorisë për vendosjen e sekuestros preventive ndaj llogarive të dy vëllezërve Aleksandër dhe Sokol Shehu, nga fshati Drenovicë i Beratit dhe banues në Tiranë, të akuzuar për “pastrim parash”. Sipas gjykatës, më 22 maj 2009, Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Departamentin për Hetimin e Krimeve në Policinë e Shtetit ka dërguar një material për fillimin e ndjekjes penale regjistruar në Prokurorinë e Tiranës në ngarkim të dy vëllezërve Shehu. Po në të njëjtën datë prokuroria e kryeqytetit ka marrë një material nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, që bën fjalë për një informacion nga autoritetet homologe greke se shqiptari Aleksandër Shehu, 34 vjeç, po hetohet në Greqi për “trafik prostitucioni” dhe “pastrim parash”. Gjithashtu, ky person, së bashku me vëllamë e tij, Sokol Shehu, 29 vjeç, akuzohen për krijim të organizatës kriminale me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit. Organizata, sipas gjykatës kishte një fitim prej 12 mijë euro në ditë dhe është llogaritur se fitimet e dërguara në Shqipëri janë afërsisht 1.5 milionë euro për tre vjet me radhë. Kryesisht paratë e fituara brenda ditës i kalonin vëllezërve Shehu, ku Sokoli bashkë me bashkëfshatarin e tij Fatos Zeka, kanë çelur një llogari bankare në shumën prej 500 mijë euro, ku mbajtësi i dytë është Fatosi, ndërsa Sokoli i pari dhe depozituesi, edhe pse nuk zotëron asnjë aktivitet të ligjshëm. Nga informacionet e DPPPP ka rezultuar se Can Murataj, 40 vjeç, burri i motrës i vëllezërve Shehu, ka një llogari bankare në euro, me të cilën ka kryer transaksione që kanë të bëjnë me depozitime të shumave rreth 10 mijë euro dhe më pas transferimin e këtyre shumave në drejtim të disa femrave të huaja në kryeqytetin grek. Në këtë llogari është bërë transferimi i një shume prej 80 mijë euro, ku si burim është deklaruar kapar për blerjen e një toke dhe karburant në autostradë, kilometri 11, Muçaj Vorë. Murataj është regjistruar si subjekt tatimor në Tiranë në fushën e “shërbimeve telefonike”, kurse Aleksandër Shehu është ortak dhe administrator i vetëm i shoqërisë “Shehu” shpk me objekt tregtie me pakicë dhe shumicë karburantesh, bar-kafe, import dhe eksport mallrash të ndryshëm. Për këtë aktivitet ai ka blerë në 2004-ën një sipërfaqe 4.100 metër katrorë në vendin për të cilin janë transferuar një shumë prej 80 mijë euro për blerje pak muaj më parë. fa.ma.