Dy të vdekur dhe një i plagosur në aksidente
Dy të mitur dhe një 53-vjeçar kanë qenë viktima të tri aksidenteve automobilistike në Devoll, Lushnjë dhe Fier. Ngjarja e parë ka ndodhur në rrethin e Devollit, mëngjesin e djeshëm kur një 53-vjeçar ka humbur jetën pas një përplasjeje të fortë në pjesën e pasme të karrocës që drejtonte. Aksidenti ka ndodhur në orën 3:40 në aksin Bilisht-Miras, ku një mjet tip “Benz” dhe karroca po lëviznin në të njëjtin drejtim. Arif Aliko ka gjetur vdekjen e menjëhershme kur karroca e tij është përplasur nga makina tip “Benz” që lëvizte me shpejtësi në një kthesë. Policia bëri të ditur se mjeti me targa DV 2118 A lëvizte në të njëjtin drejtim me karrocën, por për shkak të shpejtësisë së madhe dhe mungesës së fushëpamjes ka përplasur karrocën. Drejtuesi i mjetit, 22-vjeçari Thanas Temo, ka pësuar dëmtime të lehta pas përplasjes dhe është arrestuar si autor i aksidentit.
Aksidenti i dytë ndodhi në mesditë në Rrethin e Lushnjës, në afërsi të kthesës së çermës në aksin rrugor Rrogozhinë-Lushnjë. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se një kamionçinë me targa LU6604B, që drejtohej nga 45-vjeçari Azis H, ka përplasur një vajzë 4 vjeçe. Kjo e fundit u ka shpëtuar nga dora të afërmve dhe ishte duke ecur në anë të rrugës, kur është përplasur nga kamoionçina. Ndonëse është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Lushnjës e mitura ka ndërruar jetë vetëm pak minuta më pas.
Në orët e pasdites së djeshme, një aksident tjetër i rëndë ndodhi në Rrethin e Fierit, në rrugën Fier-Seman, ku u plagos rëndë fëmija 8 vjeç me inicialet E.S.. Ai ka qenë duke luajtur kur është përplasur në asfalt nga një makinë tip “Benz” me targa FR3040D. Automjeti drejtohej nga Nikolai Hoxha, 30 vjeç, banor i Patosit. Vogëlushi është dërguar fillimisht për në spitalin e Fierit dhe më pas drejt kryeqytetit për trajtim më të specializuar, pasi ka pësuar fraktura në kokë dhe trup.
#