Prindërit e gjimnazistit të vdekur insistojnë për hetime të reja
Dy vjet pas vetëvarjes së gjimnazistit Mikel Ajce në qytetin e Bilishtit, prindërit e 17-vjeçarit vazhdojnë të kërkojnë rihapjen e hetimeve. Ata pretendojnë se djali i tyre është vrarë dhe më pas është varur në litar për të humbur gjurmët. Për këtë arsye, babai i 17-vjeçarit Halim Ajce, insiston që të rinisin hetimet mbi vdekjen e djalit të tij. Sipas Halim Ajces, mbi të birin gjimnazist është ushtruar dhunë në ambientet e shkollës nga drejtori dhe mësuesit, të cilët kanë dashur ta përjashtojnë nga shkolla. Babai i gjimnazistit pretendon se djali i tij mund të ketë vdekur në shkollë nga dhuna e ushtruar mbi të dhe më pas autorët kanë inskenuar vetëvarjen në litar. Seanca gjyqësore e radhës është shtyrë, për shkak se gjyqtarja e çështjes, Sonjela Voskopi u ka kërkuar prindërve të 17-vjeçarit të paraqesin vendimin e pushimit të çështjes, si dhe provat mbi të cilat ata bazojnë dyshimet që kanë për vrasjen e djalit. Gjatë seancave të mëparshme, prindërit e adoleshentit nga Bilishti kanë kërkuar që me nisjen e hetimeve të kryhet edhe zhvarrimi për t’iu nënshtruar një ekspertize të dytë mjekoligjore, pasi pretendohet se viktima është dhunuar. Por kjo kërkesë nuk është marrë parasysh nga gjykata, e cila ka kërkuar prova të reja nga familjarët për pretendimet që kanë ngritur rreth fatit të 17-vjeçarit.
Ndërkaq, kujtojmë se dosja gjyqësore iu kthye prokurorisë së rrethit nga Gjykata e Apelit të Korçës, për shkak se nuk ishin marrë dëshmitë e plota. Sipas prokurorisë, ngjarja në fjalë është konkluduar të ketë qenë vetëvrasje, por ky version zyrtar nuk duket bindës për familjarët, të cilët pretendojnë se bëhet fjalë për vrasje. Mikel Ajce u gjet i varur në litar dy vjet më parë. Sipas variantit zyrtar që u publikua në atë kohë, rezultoi se 17-vjeçari u vetëvar pas përjashtimit të tij nga shkolla për shkak të mungesave të shumta.
#