Kapet autori i plagosjes në fshatin Halil
Kapet autori i plagosjes së Mustafa Daçit, ngjarje kjo e ndodhur pesë ditë më parë në fshatin Halil, të Krujës. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se është arrestuar Klodian Keqi, i cili dyshohet se bashkë më të vëllain, Jetmirin, pas një sherri banal kanë tentuar të vrasin Mustafa Daçin, në afërsi të një pike karburanti në fshatin Halil. Gjatë shkëmbimit të zjarrit ndërmjet vëllezërve Jetmir dhe Klodian Keqi me Mustafa Daçin, mbetën të plagosur Jetmiri së bashku me Mustafain, të cilët vazhdojnë të jenë në spitalin ushtarak. Ndërkohë Klodjan Keqi është arrestuar në banesën e tij dhe në momentin e ndalimit i është gjetur dhe bllokuar në cilësinë e provës materiale edhe arma e krimit, një automatik model 56. Ndaj Keqit rëndojnë akuzat e “vrasjes me dashje të mbetur në fazën e tentativës, e kryer në bashkëpunim” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.
#