E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabiten “varret e Faraonëve”

 

FIER/ MAJLINDA RAMA

Dhunohen varret antike në Apoloni. Drejtori i Parkut Arkeologjik dha dje alarmin, pasi ka konstatuar lëvizjen e gurëve në zonën e njohur si “varret e Faraonëve”.
Ai ka vënë re gropa të mëdha të hapura në disa sipërfaqe toke dhe muri, në pjesën veriore të qytetit antik. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë natës, ndërsa roja nuk ka pikasur lëvizjet e tyre, për shkak të territorit të gjerë ku shtrihet parku. Në fillim punëtorët e parkut dhe vetë drejtori, Marin Haxhimihali, tregojnë se u qe dukur një gërmim i thjeshtë, por kur janë afruar kanë pikasur vetëm hapësira boshe. Numri i gropave të hapura shkon në rreth 10 të tilla, çka hedh dyshimet se janë dhunuar 10 varre. “Pamë vetëm gropa bosh dhe nuk u besuam syve. E menduam që bëhej fjalë për një vjedhje të mundshme, por nuk mund të cilësojmë apo të flasim për objektet vjedhura, pasi ende nuk e dimë se çfarë ka pasur aty brenda. Për këtë njoftuam edhe arkeologë që të mund të nxirrnim një dëm real që i është bërë varrezës 2 mijë vjeçare. Nëse ka pasur objekte brenda tyre, veç skeletit, mund të kenë qenë dhe sende personale me vlerë që u përkisnin individëve”, ka deklaruar Haxhimihali. Kjo vjedhje, sipas tij, ka shkaktuar një dëm ekonomik e kulturor. Ai është shprehur gjithashtu se një gjë e tillë bëhet për përfitime materiale, pasi objektet e vjedhura në varre mund të kenë vërtet kosto të lartë shitjeje, për shkak të vlerave disashekullore. Fakti që këto varre njihen ndryshe edhe me emrin “varre të Faraonëve” ndoshta i ka tërhequr grabitësit të rrëmojnë në thellësi të tyre, duke menduar për materiale të kushtueshme. Kreu i parkut të Apolonisë, Haxhimihali, thotë se dyshohet se ky veprim mund të ketë lidhje edhe me trafikun ndërkombëtar të objekteve arkeologjike. “Nuk është hera e parë që ndodhin tentativa të tilla për grabitje. Dyshojmë se ky veprim mund të jetë kryer edhe për trafik ndërkombëtar të objekteve arkeologjike, pasi vlera e shitjes në këto raste shkon shumë. Duhet thënë se tentativat më të shumta të grabitjeve kanë ndodhur pothuajse në të njëjtën periudhë që përkon me ardhjen e turistëve në Shqipëri dhe në Fier”, ka vijuar Haxhimihali. Këto deklarime në fakt i kanë bërë edhe specialistë të tjerë, të cilët e njohin vlerën që mbart jo vetëm një varr i para 2 mijë vjetëve, por gjithçka që është e vendosur aty, duke filluar që nga gurët që sjellin në ditët tona antikitetin dhe lashtësinë.
E ndërsa ka filluar puna për gjetjen e gjurmëve që të çojnë tek autorët e kësaj ngjarjeje, arkeologët që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes janë shprehur të shqetësuar për një fakt të tillë. Ata kanë kërkuar në të gjithë zonën për të rikuperuar ndonjë pjesë të mbetur ose për të gjetur së paku diçka nga sendet e vjedhura, por nuk kanë gjetur asnjë gjurmë, gjë që tregon se grabitësit janë treguar tepër të kujdesshëm, duke fshirë çdo shenjë gjatë veprimeve. Njoftimi i menjëhershëm i uniformave blu ka bërë që në Apoloni të mbërrijnë policë të shumtë për të identifikuar dhe personat që kanë kryer një vepër të tillë. Por, sipas specialistëve dhe drejtuesve të parkut arkeologjik, nuk është hera e parë që zona e nekropolit bëhet arenë e grabitjeve të varreve e objekteve të tjera të trashëguara nga lashtësia dhe autorët nuk janë zbuluar. Qyteti Antik i Apolonisë mendohet të jetë ndërtuar në shekullin VI para erës sonë.

Precedentët e grabitjes
1798
Grabiten gurët e amfiteatrit antik të Apolonisë. Ibrahim Pasha i Beratit mori gurët e amfiteatrit për të ndërtuar sarajet e tij.
  1859
Një arkeologë francez merr nga vendi ynë monumente kulture për t’i dërguar më pas në vendin e tij. Kështu në vitin 1859 merret në Apoloni dhe dërgohet në Muzeun e Luvrit një satiri
  1919
Italianët grabisin një pjesë të mirë të drahmeve prej argjendi. Këto monedha u zbuluan në Durrës dhe Apoloni
  1990-1997
Kjo periudhë tranzicioni në vend është shfrytëzuar nga trafikantët e veprave të kulturës sonë për të grabitur objekte të ndryshme në Apoloni, ashtu si dhe në zonat e tjera arkeologjike
  2007
Nekropoli i qytetit antik pësoi dëmtime të dukshme në varre, struktura arkeologjike dhe figura e skelete, pasi në të u bënë gërmime për marrjen e materialeve inerte.
  2008
Një pjesë e konsiderueshme e objekteve të ardhura nga lashtësia u bënë pre e grabitëseve, pa u mundur të zbulohen
  Prill 2009
u vodhën tuma dhe disa vazo antike me vlerë disa shekullore

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›