E Shtunë, 31 Tetor 2026

I dehuri, terror me armë ish-gruas e vjehrrit

 

KAVAJE - E pushojnë nga puna, terrorizon me armë ish-gruan dhe familjen e saj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Gosë të Kavajës, ndërsa autori i saj është vënë në pranga rreth tre orë më vonë në kodrat me shkurre të fshatit. Burime zyrtare të policisë së Tiranës, pohojnë se autori i ngjarjes së rëndë, Fatmir Shehaj, 37 vjeç, pak ditë më parë ishte pushuar nga puna, si shofer kamioni në një firmë në qytetin e Kavajës. Pasditen e së dielës, ai ka konsumuar sasi të shumta pijesh alkoolike në një lokal në qytet dhe pasi humb ndërgjegjen merr në shtëpi një automatik dhe shkon te familja e ish-bashkëshortes, me të cilën ishte divorcuar pak muaj më parë. Duke e akuzuar ish-gruan, Luiza Shehaj, 32 vjeçe, si shkaktare të gjendjes së rëndë ekonomike dhe shpirtërore që po përjetonte, ai ka tentuar ta vrasë me automatik. Po kështu në të njëjtin moment ai ka tentuar të vrasë edhe babanë e ish-bashkëshortes, Sulejman Shehi, 64 vjeç. Alarmi i vënë nga banorët e fshatit ka bërë që aty të mbërrinte policia, duke detyruar 37-vjeçarin, Shehaj, të largohej nga vendngjarja. Ato momente në rrugë po kalonte automjeti tip “Ford”, me targa të huaja që drejtohej nga 40- vjeçari, Shkëlqim Karuli, të cilin e ka detyruar me forcë të ndryshonte drejtimin e mjetit, duke e urdhëruar nën kërcënimin e armës të ecte drejt kodrave të fshatit. Pas kësaj ai e ka braktisur mjetin, ndërsa policia ka qenë gjithë kohën në ndjekje të tij, derisa ka mundur ta prangosë pas tre orësh. Bashkë me të është kapur edhe arma e krimit, automatiku “Kallashnikov” dhe dy krehra fishekësh. Pas kësaj, ai është dërguar në qelitë e izolimit të Komisariatit të Kavajës, ku dhe është marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore, para të cilëve ka pranuar autorësinë e ngjarjes. Gjatë deklarimeve paraprake, mësohet se ai ka pohuar se nuk ka dashur të vriste ish-bashkëshorten dhe të atin e saj, por vetëm u ka bërë presion që ajo të kthehej tek ai. Ndërsa faktin që ka shkuar i armatosur, ai pohon se ka qenë i papërgjegjshëm, si pasojë e sasive të shumta të alkoolit që kishte konsumuar. Policia pohoi dje se materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të shtetasit Fatmir Shehaj, do t’i kalojnë Prokurorisë së Kavajës, ndërsa ndaj tij janë ngritur paraprakisht akuzat, “vrasjes me paramendim mbetur në tentativë”, “mbajtje pa leje e armëve luftarake e municioneve”, “prishje e qetësisë publike” dhe “heqje e paligjshme e lirisë”.                            fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›