E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Transporteve: Kushtet për të përfituar banesë sociale

Përcaktohen afatet për shlyerjen e kredisë dhe roli i kolateralit

Laureta Rryçi

Tiranë - Ministria e Transporteve publikon kushtet që duhet të plotësojnë familjet për të përfituar banesë sociale. Afatet që kanë në dispozicion për shlyerjen e kredisë dhe roli i kolateralit që kontrata të pranohet nga banka me të cilën shteti do të bëjë marrëveshje. Gazeta “Albania” zbardh në numrin e sotëm edhe dokumentet që duhet të dorëzojnë familjet në nevojë për të përfituar banesa sociale. Sipas udhëzimit në këtë ministri për përcaktimin e kufijve për shlyerjen e kredisë këshillat bashkiakë bazohen: në vlerën e banesës së ndërtuar ose të blerë në treg; në aftësinë paguese të familjes, nivel i pranueshëm i së cilës merret pagesa e kësteve mujore të kredisë, e cila nuk duhet t’i kalojë 35 për qind të të ardhurave të familjes; në të ardhurat e familjes, të cilat, pas pagesës së kësteve të kredisë, nuk duhet të bien më poshtë se niveli i plotë i ndihmës ekonomike të miratuar nga Këshilli i Ministrave. Kufiri minimal i të ardhurave të familjes është sa trefishi i kësteve mujore të kredisë së subvencionuar dhe kufiri maksimal i të ardhurave mujore të familjes është sa trefishi i pagesës mujore të kredisë së pasubvencionuar nga shteti.
Bashkitë
Për menaxhimin e programeve të strehimit bashkitë kanë për detyrë që të identifikojnë nevojat për strehim sipas programeve të hartuara për popullsinë në juridiksionin territorial të tyre. Banesat me kosto të ulët ndërtohen me fondet e buxhetit të shtetit, me fondet e bashkisë dhe nga donacionet private. Çmimi i shitjes së banesave me kosto të ulët përcaktohet në bazë të vlerës së objektit që ndërtohet. Vlera e objektit përcaktohet në bazë të kostos së ndërtimit të banesës, çmimit të tokës, kostos së infrastrukturës, vlerës së projektit dhe shpenzimeve për administrimin e procesit dhe të shpërndarjes. Familjet që klasifikohen për t'u trajtuar me banesa me kosto të ulët janë:
familjet që në çastin e paraqitjes së kërkesës pranë zyrës përkatëse të bashkisë nuk kanë në pronësi një banesë; familjet që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit; familjet që kanë të ardhura brenda kufijve të përcaktuar në ligjin për banesat sociale. Administrimi i kërkesave për këto banesa bëhet nga zyrat përkatëse të bashkive.
Përllogaritja
Në rastin kur familja gjen një apartament me një strukturë më e vogël nga ajo që i takon, vlera korresponduese e kredisë i referohet vlerës faktike të apartamentit që gjen familja. Kështu, nëse apartamenti që ajo ka gjetur në treg vlerësohet 3,500,000 lekë, ajo përfiton një kredi në masën prej 2,250,000 lekësh.
Cilat janë mundësitë e saj: Familja vë në hipotekë apartamentin dhe përfiton një kredi prej 2,250,000 lekësh; familja vë në hipotekë një pasuri tjetër (p.sh. apartamentin e prindërve) më të lartë dhe përfiton një kredi në masën prej 3,000,000 lekësh. Kjo familje nuk mund të pretendojë për një kredi në masën që do t’i takonte sikur të blinte një apartament me strukturë 2+1. Në të gjitha rastet masa e kredisë llogaritet si përqindje ndaj vlerës faktike të apartamentit të blerë në treg. Niveli minimal i të ardhurave mujore të familjes është indikativ dhe është në vartësi të shumës së kredisë dhe kushteve specifike me të cilën negociohet me bankën. Kështu, nëse familja gjen një apartament me vlerë më të vogël nga kufiri maksimal i përcaktuar për vlerën e banesës, edhe niveli minimal i të ardhurave do të ulet.

Kushtet e kreditimit:

Monedha e kreditimit; lekë
Afati maksimal i kredisë; 30 vjet
Norma e interesit: bono thesari 12-mujore + 2.2% (nga të cilat, qytetari paguan vetëm 3%)
Komisioni i angazhimit: 1%
Mbulimi me kolateral: 140%

Interesi i kredisë
Kontrata e kredisë që do të lidhë qytetari do të jetë fikse për pjesën që i takon qytetarit, ndërsa luhatjet e interesit të BTh janë në ngarkim të buxhetit të shtetit.

Kolaterali
Lidhur me pjesën e kolateralit informojmë se mbulimi me 140% do të thotë që, nëse familja vë në hipotekë vetëm apartamentin që do të blejë, atëherë ajo duhet të bëjë një pagesë të menjëhershme të barasvlershme me 40% të vlerës së banesës. Nëse familja nuk e disponon këtë shumë, ajo mund të vërë si kolateral një pronë me një vlerë më të madhe dhe të bëjë një pagesë të menjëhershme prej 20% të vlerës së banesës që po blen. Megjithatë, këto janë rregulla të përgjithshme dhe BKT do të aplikojë sipas rastit dhe besueshmërisë së klientit rregulla më fleksibël.

Vlera e banesës
Me vlerë banese kuptohet vlerësimi që bëhet sipas procedurave të bankës. Vlera e banesës mund të ndryshoje nga çmimi me të cilin është ofruar për shitje. Çmimi maksimal me të cilin një familje mund të blejë banesën në tregun e lirë.

Të ardhurat e familjeve
Niveli minimal dhe maksimal i të ardhurave të familjeve, sipas strukturës së apartamentit që ato përfitojnë. Niveli maksimal i të ardhurave është kriter skualifikues nga ana e bashkive.

Për t’u paraprirë kërkesave të bankës, në mënyrë që lidhja e kontratave të ketë një ecuri të shpejtë, bashkëlidhur jepet informacioni mbi dokumentacionin që do të kërkojë banka nga klientët.

Dokumentet e nevojshme të aplikimit për kredi për blerje shtëpie

Dokumentet e aplikantit:

Dokument identifikimi
Fotokopje e pasaportës ose certifikatë personale e muajit të fundit për aplikantin dhe dorëzanësit (origjinale) ose fotokopje të kartës së identitetit ose të letërnjoftimit.

Certifikatë familjare për aplikantin dhe dorëzanësit (origjinale).
Vërtetim nga Prokuroria dhe Gjykata ku specifikohet që aplikanti nuk është në ndjekje penale pranë këtyre autoriteteve (origjinale).

Vërtetim nga zyra e gjendjes civile mbi adresën e aplikantit dhe dorëzanësit

Dokumentacioni mbi të ardhurat (vërtetim page dhe të tjera sipas rastit).

Kontratë shitblerjeje, kontrate porosie ose kontratë sipërmarrjeje (sipas rastit, të noterizuara).

Dokumentet e kolateralit:

Vërtetim hipotekor ose certifikatë pronësie
Kartelë e pasurie së paluajtshme
Harta treguese e regjistrimit të pasurisë
Origjina e fitimit të pronësisë
Raport vlerësimi i kolateralit (Klienti udhëzohet nga banka për plotësimin e këtij dokumenti, pas paraqitjes së dokumenteve të mësipërme në bankë nga ana e klientit).

Të tjera

Deklarata për vërtetësinë e kushteve që mbështesin nevojën për strehim të sigluar nga bashkia ose Këshilli i Ministrave

Boc

Kriteret minimale që duhet të plotësojë aplikanti

Masa e subvencionit nuk mund të jetë më e madhe se vlera e banesës

Të jetë i klasifikuar në listat e përfituesve

Të plotësojë kushtet dhe kriteret e bankës për këtë lloj kreditimi

Të ketë të ardhura mesatare minimumi 8 000 lekë për person në muaj dhe kësti i kredisë të mos kalojë 30% të totalit të të ardhurave

14 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›