U kap me 50 kg drogë, liri ish-shoferit të gjykatës
Armand Bajrami
Gjykata e Tiranës liron me kusht Gentian Alizotin, ish-shoferin e Gjykatës Kushtetuese të dënuar me burg për akuzën e trafikut të narkotikëve. Vendimi për të arrestuarin me 50 kg kanabis në makinën e Gjykatës Kushtetuese, u shpall dje nga togat e zeza të Gjykatës së kryeqytetit. Pas shpalljes së vendimit, Alizoti do të dalë nga qelitë për të qëndruar në liri “me kusht”, për të mos kryer asnjë vepër penale për një periudhë kohore prej dy vjetësh. Alizoti ishte dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë me 5 vjet heqje lirie për akuzën e “mbajtjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike”. Bëhet e ditur se të dënuarit i kishin mbetur edhe 7 muaj heqje lirie. Katër muaj më parë, me një vendim të së njëjtës gjykatë, ai përfitoi tre muaj ulje dënimi, për shkak të sjelljes së mirë në burg.
LIRIA
Togat e zeza të Gjykatës së Tiranës pranuan dje kërkesën e Gentian Alizotit, për lirimin e tij me kusht. Kërkesa e tij, për të përfituar lirinë me kusht është depozituar në sekretarinë e gjykatës më 6 maj të këtij viti, ndërsa rreth një muaj më vonë ka filluar shqyrtimi i saj nga togat e zeza. Gjatë shqyrtimit, që zgjati katër seanca, para gjykatës u paraqit edhe një raport i Shërbimit të Provës, për të dënuarin Alizoti. Në seancën e djeshme, pasi dëgjoi pretendimet e të gjitha palëve në proces, gjykata vendosi lirimin e Alizotit. Sipas vendimit, Alizoti duhet të mbajë kontakte me zyrën e Shërbimit të Provës. Gjithashtu, për një periudhë 2-vjeçare, ai nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale. Në vendimmarrjen e gjykatës u morën parasysh edhe fakti që i dënuari kishte kryer më tepër se tre të katërtën e dënimit, si edhe sjelljen e tij gjatë kohës së qëndrimit në burg. Më 12 mars, Alizoti, pas një kërkesë të bërë në gjykatë që në vitin 2008, përfitoi uljen e 90 ditëve nga dënimi i mbetur.
TRAFIKU
Gentian Alizoti u arrestua nga policia në kushtet e flagrancës në 28 qershor të viti 2006. Atij iu vunë prangat gjatë një aksioni antidrogë, në vendin e quajtur “Ura e Subashit” në Gjirokastër. Në momentin e ndalimit, ai ishte duke drejtuar automjetin tip “Hunday” me targa TR 4807 J, në pronësi të Gjykatës Kushtetuese. Brenda saj u gjetën dhe u sekuestruan nga policia 50 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa, e ndarë në 49 pako. Nga i njëjti operacion u arrestua edhe A. Gjinushi, ish-shofer i Kuvendit si edhe dy persona të tjerë. Sipas hetimeve, Alizoti me automjetin shtetëror, kryente “korrierin” e lëndës narkotike në territorin shqiptar. Pas gjykimit të tij në Shkallën e Parë në shtator të vitit 2007, i cili u krye me kohë të shkurtuar, ai u dënua me 5 vjet burg.