Korçë, vidhet kryqi e ikonat e kishës së Shën Gjergjit
KORÇE – Grabitet kisha e Shën Gjergjit në fshatin Shipckë, i cili ndodhet rreth 2 orë larg Voskopojës. Sipas priftit të kishës, që bëri denoncimin në policinë e Korçës, grabitja është konstatuar vetëm dje nga banorë të fshatit, po mund të ketë ndodhur prej ditësh. Brenda kishës është konstatuar vjedhja e një kryqi të gdhendur në dru, i cili sipas restauruesve të kësaj kishe mund të jetë gdhendur në shekullin e XVII-të. Është vjedhur gjithashtu një shirit i gjatë, në të cilin ishin fiksuar ikona të vogla, të cilat mendohet se janë pikturuar në shekullin e XVIII-të, kur është pikturuar kjo kishë, e ndërtuar në shekullin e XV-të. Autorët kanë rrëmbyer dhe disa harqe të gdhendura në dru, pjesë e derës kryesore. Grabitësit gjatë përpjekjeve të tyre për të shkulur pajisjet e mësipërme kanë dëmtuar edhe materiale të tjera muzeale. Kisha e Shën Gjergjit në Shipckë nisi restaurimin 3 vjet më parë, prej një firme private të drejtuar nga inxhinieri arkitekt Kliti Kallamata, por ende nuk ka përfunduar. Sipas studiuesve që janë aktivizuar gjatë kësaj periudhe, për të ndihmuar në restaurimin e kishës, ajo mbarte vlera ikonografike e gdhendje të rralla në dru, të cilat përbënin një pasuri jo të vogël të kulturës sonë kombëtare. Edhe ikonat në këtë kishë janë të shumta, por pjesa më e madhe e tyre janë kopje mbasi origjinalet ruhen në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë. Restaurimi i kësaj kishe të vjetër e të rrallë nuk kishte përfunduar ende, e për këtë shkak ajo nuk ishte marrë në dorëzim nga dega e mbrojtjes së monumenteve të kulturës në Korçë. j.gj