Pezullimi nga detyra, prokurori i Kurbinit: Procedimi i paligjshëm
Tiranë – Prokurori i Kurbinit, Tom Deda, i cili ndodhet në procedim disiplinor nga Këshilli i Prokurorisë, pas shkeljeve të pretenduara në detyrën e tij, reagoi dje publikisht duke deklaruar se akuzat ndaj tij nuk kanë bazë ligjore. Javën që shkoi, Këshilli i Prokurorisë në Tiranë tha se e shtyu mbledhjen e radhës pasi për të tretën herë prokurori Tom Deda, nuk iu përgjigj thirrjes për t’u paraqitur në mbledhjen ku do të diskutohej procedimi disiplinor. Sipas Këshillit, prokurori Deda është gjetur me dosje penale që janë mbyllur, pezulluar ose kanë marrë pafajësi. Por vetë Prokurori Tom Deda, në një deklaratë të tij, tha dje se nuk ka marrë asnjë thirrje për t’u paraqitur në Këshill. Për më tepër, sipas prokurorit, procedimi ndaj tij në Këshill është formal, pasi në të vërtetë ai ka dy muaj që është pezulluar nga detyra, madje me një shkresë të Drejtorisë së Personalit, në Prokurorinë e Përgjithshme, i kanë prerë edhe rrogën kur ende nuk është marrë një vendim. Prokurori Deda e konsideron tendecioz procesin duke pyetur: Përse u dërgua grupi i kontrollit në Prokurorinë Kurbin, kur kjo Prokurori për nga numri i çështjeve dhe ngarkesa e punës, bën pjesë në Prokuroritë më të vogla të vendit dhe për më tepër kur nuk ka pasur asnjë ankesë nga shtetas apo institucione. Sipas prokurorit Deda, “shkeljet më pikante” në aktin e kontrollit janë ato që u përkasin procedimeve penale të cilat sipas ligjit “Mbi Pokurorinë” nuk duheshin kontrolluar në 2009, pasi u përkasin viteve 2002, 2003, 2004, 2005, çka do të thotë se kanë kaluar më shumë se tri vjet. Pika e tretë e kundërshtimeve të prokurorit në hetim është se janë përfshirë në aktin e kontrollit edhe procedime penale, të cilat janë kontrolluar më parë nga i njëjti kontrollues dhe që nuk rezultonin me shkelje. Sipas Tom Dedës, janë kontrolluar e cilësuar me mangësi dosje që janë ende në gjykim. Më tej Deda thotë se sipas urdhrit të Prokurorit të Përgjithshëm Nr. 281 datë 28.10.2008, kontrolli në Prokurorinë e rrethit Kurbin duhej të fillonte më datën 29.10.2008 dhe duhej të përfundonte më datën 20.11.2008, por akti i kontrollit mban datën 29 janar 2009 dhe atij i është njoftuar më 22 maj 2009. Sipas prokurorit, akti i kontrollit përmend vetëm emrin e tij dhe të një kolegu tjetër, por asnjë nga prokurorët e tjerë të Kurbinit. tr.so