E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitësit "me paruke" zhvatin argjendarinë

Një tjetër grabitje është regjistruar dje në Tiranë, kur një person 32 vjeç, i bëshëm, hyri në një argjendari, theu xhamin e banakut dhe me shpejtësi ka marrë disa varëse, unaza e byzylykë floriri për t‘u larguar mes rrugicave. Hajduti, i cili u identifikua me emrin Altin Ndini dhe u kap gjatë operacionit "Parukja", ka tentuar të arratiset në rrugicat që lidhen me rrugën "Xhorxh Bush". Burimet e policisë kryeqytetase bënë të ditur se dje, rreth orës 08.30 të mëngjesit janë njoftuar nga punonjësja e një argjendarie, se një person kishte thyer një xham dhe kishte marrë me forcë disa varëse floriri e disa unaza. Shitësja ka njoftuar policinë se ngjarja ka ndodhur te rruga "Xhorxh Bush", pikërisht në zonën ku kanë ndodhur edhe disa grabitje të tjera. Me t‘u njoftuar, shërbimet e policisë kanë shkuar në vendngjarje, pikërisht tek argjendari "Rita". Uniformat blu kanë marrë kontakt me punonjësen e argjendarisë, e cila ka treguar se personi kishte pak flokë të gjata dhe se pas grabitjes ishte futur në një rrugicë aty pranë. Oficerët e policisë kanë rrethuar gjithë zonën dhe vetëm dhjetë minuta më vonë kanë mundur të kapin një të dyshuar. Veshja e tij, mosha, gjatësia e të dhëna të tjera, ishin të përshtatshme me ato që kishte dhënë punonjësja e argjendarisë, por flokët jo. Ai është shoqëruar në Komisariatin Nr. 1, por gjatë kontrollit i janë gjetur katër varëse floriri, disa unaza dhe byzylykë. Policia nuk kishte dyshime se ai ishte autori, pavarësisht se punonjësja e grabitur ishte në mëdyshje. Por, pa kaluar shumë kohë, policia ka gjetur edhe një parukë, fare pranë vendit të arrestimit. E kur i dyshuari është përshtatur me parukën, punonjësja e argjendarisë ka qenë e bindur. Asaj i janë treguar edhe sendet e sekuestruara, që ishin pikërisht ato të vjedhura në dyqanin e saj. Në këto kushte, policia ka vendosur arrestimin e të dyshuarit nën akuzën e vjedhjes me dhunë. Nga ana tjetër, punonjësja e argjendarisë "Rita" ka dhënë deklaratën e saj, duke rrëfyer gjithë ngjarjen e ndodhur. Policia shpjegoi se ajo ishte tmerruar në momentin e thyerjes së xhamit të banakut dhe kishte mbetur e shtangur edhe nga frika se hajduti mund të ishte i armatosur. Por, më vonë ajo kishte marrë veten dhe kishte njoftuar policinë. Sipas hetimeve, më vonë, çështja ka kaluar nën juridiksionin e sektorit të vjedhjeve me dhunë, të cilët kanë kontaktuar edhe me prokurorinë, duke i kaluar materialet për veprimet e mëtejshme. Gjithashtu, i arrestuari, i cili fillimisht ka dhënë emër të rremë, ka rezultuar se është nga Lushnja dhe dyshohet se ka kryer edhe grabitje të tjera. Ai, shpeshherë udhëtonte në Tiranë dhe tentonte vjedhje të ndryshme, derisa dje nuk ka mundur t‘u shpëtojë uniformave blu. Në atë zonë, kohët e fundit kanë ndodhur disa grabitje, ku janë përdorur edhe armët. Sipas policisë, ende vazhdojnë të mbeten të pazbardhura këto ngjarje, pavarësisht se ka disa të dyshuar. Policia shpjegoi më tej, se po punon edhe për dokumentimin e plotë të këtyre vjedhjeve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›