E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhen tri banesa, kapet vetëm një autor

Tri vjedhje të tjera janë regjistruar nga policia e kryeqytetit gjatë 24 orëve të fundit, ndërkohë që ende nuk janë identifikuar autorët. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës bënë të ditur se gjatë natës, në rrugën "S. Kolea", është vjedhur banesa e shtetasit italian Gianluca Vicenzo Spagna, 35 vjeç. Hajdutët kanë mundur të hapin portën e banesës dhe të vjedhin gjithë paratë që kanë gjetur brenda. Megjithatë, ata nuk kanë prekur asgjë tjetër. Sipas informacioneve të policisë, italiani ka denoncuar se hajdutët kanë marrë 50 euro, 25 mijë lekë, një celular dhe një orë dore. Uniformat blu të grupit hetimor kanë mundur të gjejnë edhe disa gjurmë në banesë që i kanë fiksuar dhe po punojnë për gjetjen e autorëve. Vetëm për këtë rast, policia shpjegoi se filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Bashkim Sherif Biba, 28 vjeç, banues në Tiranë, pa arsim. Policia shtoi se ky person u dërgua për ndjekje penale, sepse rreth orës 04.00 të mëngjesit, në rrugën "Tefta Shkurti", u kap duke vjedhur banesën e shtetasit Parid Todi Ndreka, 22 vjeç. Ai është kapur nga i zoti i shtëpisë, i cili e ka izoluar dhe më pas ka njoftuar uniformat blu. Ndërsa rasti i tretë është shënuar gjatë natës në Rrugën e Durrësit. Sipas të dhënave hetimore, është vjedhur me thyerje banesa e shtetasit Ergys Bujar Kapaj, 20 vjeç, ku kanë marrë 1 kompjuter laptop. Policia tha se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›