E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitet hekuri i urës së Bunës, në rrezik shembje

29/11/2011  I merren pjesët për skrap, askush nuk ndalon vjedhjen. Banorët të shqetësuar nga pasojat

SHKODER- Ura e vjetër e Bunës, e ndërtuar prej më se 100 vjet më parë, po rrezikohet seriozisht nga vjedhjet e pjesëve metalike të saj. Dëmtimi i kësaj ure ka nisur prej më shumë se një jave dhe me përjashtim të disa banorëve të zonës asnjë institucion shtetëror nuk po merr masat e duhura e as përpiqet të ndalojë vjedhjen në këtë urë.

“Zhveshja”

Banorët që jetojnë në të dyja anët e kësaj ure dhe të lumit të Bunës njëkohësisht shprehen se elementet metalike të urës po vidhen nga persona që merren me shitjen e skrapit. Sipas këtyre banorëve, por edhe peshkatarëve të zonës, keqbërësit shkojnë të vjedhin elementet metalike të urës vetëm gjatë orëve të vona të natës për të mos u vënë re. Errësira e natës dhe mungesa e ndriçimit të kësaj ure ka bërë që hajdutët e skrapit, siç i quajnë banorët, të marrin çdo natë elemente metalike në pjesë të ndryshme të urës së vjetër të Bunës. Banorët që jetojnë në krahun përtej urës, por dhe ata që i kanë banesat këndej urës, kërkojnë ndihmën e strukturave shtetërore përkatëse për ndalimin e fenomenit të vjedhjes së urës. Ndërhyrja duhet të jetë sa më e shpejtë, pasi, po të vijojnë të hiqen elementet e sipërm lidhës të urës, atëherë do të bien komplet anësoret metalike të saj. Rënia e pjesëve anësore të urës jo vetëm do ta bënte të rrezikshëm kalimin e banorëve mbi urë, por do të çonte në shembjen e shpejtë të urës. Dëmtimi i urës për banorët e kësaj zone do të krijojë vështirësi në komunikimin e përditshëm, pasi ura e re e Bunës është shumë larg dhe do një kohë të gjatë të dalësh më këmbë. Banorët po kërkojnë ndihmë për ruajtjen dhe rregullimin e kësaj ure, por ndërkohë dhe po paralajmërojnë rrezikun e shembjes së kësaj ure shekullore, sipër dhe poshtë së cilës ka “lëvizur” një pjesë e mirë e historisë së Shkodrës. Pas ndërtimit të urës së re mbi lumin e Bunës ura e vjetër u bllokua me beton në dyja anët e saj për moslejimin e qarkullimit të automjeteve. Duke e parë si objekt i trashëgimisë kulturore e historike të qytetit të Shkodrës, bashkia e Shkodrës planifikoi kthimin e saj në një shëtitore, por deri tani jo vetëm projekti ka mbetur vetëm ide, por ura e vjetër e Bunës po rrezikon të shkatërrohet. Duke parë situatën e krijuar, tashmë banorëve të zonës u është bashkuar dhe bashkia, e cila u ka bërë thirrje institucioneve përkatëse që të marrin masat e duhura për riparimin e saj të shpejtë dhe marrjen në ruajtje, në mënyrë që të mos shkojë drejt shembjes.

Ura e Bunës

Ura e vjetër e Bunës, me formën që e ruan pjesërisht edhe sot, është ndërtuar me fondet e qeverisë turke në vitin 1889. Ndërtimi i kësaj ure u bë i mundur në saje të iniciativës së guvernatorit të Shkodrës Qazim Pasha si dhe bashkëpunimit të tij me kryetarin e bashkisë së asaj kohe Bejtash agë Kazazi. Ajo ishte projektuar nga inxhinieri turk Ali Beu. Për ndërtimin e saj u përdorën këmbë çimentoje të lidhura me trarë hekuri si dhe dërrasa për shtrimin e pjesës së sipërme të saj. Ura e vjetër e Bunës ka qenë një urë që është hapur me anë të një mekanizmi në formë manuale, hapja e së cilës në fillim shërbeu si mbrojtje nga rreziku malazez e më vonë për të bërë të mundur lëvizjen e varkave nga lumi i Bunës në liqenin e Shkodrës dhe anasjellas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›