E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkon në 10 për qind numri i lindjeve të parakohshme

28/11/2011  Në rrugën pedonale do të hapet edhe panairi me moton “Bli shqip”

Në rritje numri i lindjeve të parakohshme. Të dhënat e raportuara nga dikasteret shëndetësore tregojnë se numri i lindjeve të parakohshme gjatë viteve të fundit ka pësuar rritje të konsiderueshme, duke u bërë në shumë raste edhe problematike. Mjekët pohojnë se ky fakt është tepër shqetësues, pasi sa më herët të lindë fëmija aq më e ulët është mundësia e jetesës, ndërkohë që këta fëmijë kalojnë probleme shëndetësore afatgjata. Shërbimi jo i duhur në atë parësor apo mungesa e informacionit që kanë nënat në veçanti, ato që vijnë nga zonat rurale janë disa nga faktorët që ndikojnë drejtpërdrejt në lindjet e parakohshme.

Konkretisht mbi 10 për qind e lindjeve raportohen të jenë të parakohshme, ndërsa vite më parë kjo shifër ishte më e ulët. “Është vënë re se kemi një rritje të numrit të lindjeve para kohe. Zakonisht ka qenë te 7.2 apo 7.4 për qind, shifër e cila është mbajtur për ca kohë në këtë nivel. Aktualisht kjo shifër ka vajtur në 10 për qind”, - ka pohuar drejtoresha e maternitetit “Koço Gliozheni” Rubena Moisu. Një tjetër shqetësim i ngritur është edhe ai që ka të bëjë me mosgjetjen e shkaqeve të qarta të aborteve që ndodhin gjatë muajve të parë të shtatzënisë. Moisu tregon se nga 900 abortet e raportuara në vit pranë këtij institucioni rreth gjysma e tyre, që ndodhin në tre muajt e parë të shtatzënisë, ndodhin për shkaqe të paqarta. Duke iu referuar studimeve të kryera në vendet fqinje, theksohet se ndotja e mjedisit sërish është një ndër shkaqet që po çon në shtimin e lindjeve para kohe, fakt ky që konfirmohet edhe nga Moisu. Nënat duhet të tregojnë kujdes gjatë muajve të parë të shtatzënisë, në mënyrë që të minimizojnë sa më shumë faktorët rriskues, në mënyrë që të shmangin edhe komplikacionet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›