Grabitet kasaforta me 100 milionë, pronari: Autorët hapën 4 dyer
Tiranë- Mbi 10 milionë lekë janë grabitur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në një pikë këmbimi valutor pranë Medresesë në Tiranë. Vjedhja është e pazakontë në llojin e saj, pasi gjatë vjedhjes, hajdutët nuk kanë përdorur asnjë send të fortë për të hapur qepenat e kësaj pike këmbimi valutor, ndërsa dyshohet se ata mund të kenë përdorur kopje të çelësave. Policia e kryeqytetit ka nisur dje hetimet për këtë vjedhje në shuma të konsiderueshme. Pronari i kësaj pike valutore, Andrea Onjea tha dje për “MAPO”-n se kishte mundur të konstatonte vjedhjen vetëm rreth orës 07:30 të mëngjesit të ditës së djeshme. “Rreth orës 07:30 të mëngjesit, dola të pija kafen e mëngjesit dhe të nisja punën. Nga lokali përballë pashë qepenin gjysmë të hapur. M’u duk e çuditshme, pasi punëtori që hap dyqanin vjen rreth orës 08:00 dhe u afrova vetë për të parë. Menjëherë sa iu afrova qepenit kuptova se ishte kryer vjedhje dhe nuk hyra fare vetë brenda, por njoftova menjëherë policinë”, - ka deklaruar dje pronari i kësaj agjencie valutore. Nga të dhënat paraprake rezulton se hajdutët kanë hapur të paktën katër dyer, përfshirë këtu dhe dy qepenë. “Në qepenin kryesor nuk ka asnjë shenjë dhune, madje ai funksionon normalisht. Pas këtij qepeni, ka qenë një derë duralumini, të cilën e kanë hapur duke e shtyrë, pasi nuk ka qenë e vështirë të hapej. Pas kësaj dere, ka qenë një tjetër qepen dhe rezulton se edhe ky qepen është hapur lehtësisht. Pas qepenit të dytë ka qenë dera e dhomës ku ka qenë dhe kasaforta, e cila gjithashtu është hapur lehtësisht”, - tha pronari i pikës së këmbimit valutor, Andrea Onjea. Sipas të dhënave dyshohet se hajdutët kanë qenë me makinë në dispozicion, pasi në pamundësi për të hapur kasafortën, e kanë zhvendosur dhe e kanë marrë me vete. “Kasafortën e kanë zhvendosur. Kasaforta ishte relativisht e madhe dhe e rëndë. Ishte e montuar me bullonë në dysheme. Në pamundësi për ta hapur, e kanë marrë të tërën. Kjo do të thotë se kanë pasur në dispozicion dhe një mjet për ta transportuar”, - ka shprehur dyshimet e tij Onjea. Policia ka nisur hetimin dhe verifikimet ,ndërsa pista më e mundshme është ajo e një “komploti të brendshëm”, duke u nisur nga fakti se qepenat janë hapur pa u dëmtuar. Megjithatë, policia nga ana e saj nuk përjashton edhe pistën e hajdutëve profesionistë, që mund të kenë hapur dyert nëpërmjet pajisjeve të veçanta, ose çelësave universalë. Pronari i kësaj pike të këmbimit valutor është shprehur dje se shuma e grabitur është mbi 10 milionë lekë të reja, ndërsa ka shtuar se ai nuk ka qenë i siguruar. “Ne paguajmë siguracion për aktivitetin, i cili është një siguracion normal, por vjedhja nuk përfshihet në paketën e sigurimeve dhe e gjithë kjo sasi e humbur lekësh është një humbje e imja. Kërkoj nga organet policore të zbardhin këtë ngjarje sa më shpejt, pasi dëmi është i jashtëzakonshëm”, - është shprehur dje Onjea.