Prangoset grabitësi i supermarketit, dy të tjerë në kërkim
Tiranë- Policia e Tiranës bën të ditur se në orët e para të ditës së djeshme, vetëm pak orë pas grabitjes së filialit të supermarketit “Euromax” në Tiranë, ka arritur të arrestojë njërin prej grabitësve. “Specialistët e Seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe me Armë, në bashkëpunim me komisariatin e Policisë Nr.2 Tiranë, bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e njërit prej autorëve të dyshuar të vjedhjes me armë të supermarketit “Euromax”. Sa më sipër, u mor masa e arrestit në flagrancë për Shkëlqim Kurti, 30 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për dezertim” – bëjnë të ditur burime zyrtare nga Policia e Tiranës. Vjedhja e këtij supermarketi ndodhi dy ditë më parë, rreth orës 20:00 në afërsi të rrugës ‘Sulejman Delvina” në Tiranë, ku Kurti në bashkëpunim edhe me dy persona të tjerë, dyshohet se kanë vjedhur nën kërcënimin e armës një sasi parash, e cila përllogaritet rreth 150 mijë lekë të reja. Nga ana e saj, Policia e Tiranës po vazhdon punën intensive në drejtim të identifikimit dhe kapjes së dy bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë vjedhje me armë. Sipas të dhënave të policisë, tre grabitësit kanë qenë të armatosur me pistoletë dhe me leva, me forcën e së cilave kanë mundur të marrin paratë që ndodheshin në arkën e supermarketit. Th.Samarxhiu