E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitet kisha e Shën Julitës

Kisha e Shën Julitës, e cila gjendet brenda manastirit njëmijëvjeçar të fshatit Dhuvjan në Dropullin e Poshtëm, një nga perlat e harruara të qytetërimit dhe krishterimit ortodoks në Luginën e Drinos, është grabitur gjatë fundjavës nga persona ende të paidentifikuar. Një kryq i vjetër druri, disa ikona, një pëlhurë me vlera artistike dhe historike janë objektet e vjedhura prej kishës, ndërsa grabitës kanë shkatërruar edhe disa pjesë të ikonostasit të gdhendur në dru

Persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në kishën e Shën Julitës brenda manastirit 1000-vjeçar të Dhuvjanit në Dropullin e Poshtëm dhe kanë grabitur një kryq të vjetër prej druri, disa ikona, një pëlhurë të vjetër të qëndisur me vlera artistike dhe historike dhe kanë shkatërruar disa pjesë të ikonostasit të saj të gdhendur në dru. Banorët e Dhuvjanit thonë se në të njëjtën ditë është shpërthyer edhe dera e një prej 6 kishave të tjera të fshatit, por nga kontrolli i bërë në kishën e Shën Vllasit rezultoi se grabitësit nuk kishin prekur asgjë nga inventari i ikonave të saj. Sipas kryetarit të fshatit, Vasil Gumenidhi, është hera e katërt që grabitet kjo kishë e lashtë brenda 20 vjetëve të fundit dhe në të gjitha rastet grabitësit kanë synuar të marrin objekte me vlera historike, fetare dhe artistike. “Grabitja u konstatua nga kryetari i këshillit fetar të fshatit, i cili konstatoi se ishin shpërthyer dy drynat e derës së kishës dhe së bashku me të njoftuam policinë, e cila erdhi menjëherë në kishë dhe pasi këqyri vendin mori gjurmët që kishin lënë aty grabitësit”, tha Gumenidhi. Banorët e Dhuvjanit, që e nderojnë kishën e Shën Julitës dhe e ruajnë atë vullnetarisht, janë të habitur, sidomos nga indiferenca e Mitropolisë së Shenjtë Ortodokse në Gjirokastër për këtë perlë të harruar të qytetërimit dhe krishterimit ortodoks në Luginën e Drinos. “Njoftuam për këtë grabitje edhe tek autoritetet e Mitropolisë së Shenjtë Ortodokse në Gjirokastër, por aty gjetëm një indiferencë që na habiti. Aty na thanë “Pse vini këtu? Shkoni te kryetari i komunës dhe prifti i zonës!” Ne mendojmë se ky manastir dhe kjo kishë janë vlera të mëdha fetare, kulturore, humanitare dhe historike. Kjo kishë, nga viti 1858 deri në vitin 1885, ka shërbyer si institucion arsimimi në gjuhën greke, si shkolla e parë femërore në Shqipëri e në Greqi dhe ku kanë mësuar përveç këndim-shkrimit dhe qëndisje e gatim, shumë vajza të fshatit Dhuvjan, të Dropullit dhe zonave të tjera më gjerë”, shprehet më tej kryetari i fshatit. Ky objekt, që mendohet të jetë rreth 1000-vjeçar, ndodhet në qendër të Dropullit të Poshtëm në Gjirokastër, përballë Libohovës, sipër fshatit Dhuvjan, në një peizazh mahnitës me një bukuri të rrallë natyrore. Në Dhuvjan ndodhen edhe 6 kisha të tjera të lashta dhe më të reja, midis të cilave ajo e Shën Vllasit, Shën Nikollës, por natyrisht më e veçanta prej tyre është ajo që ndodhet brenda oborrit të manastirit të Dhuvjanit, e quajtur kisha e Shën Julitës. Këto objekte janë shpallur monumente kulture, por ndërsa Shën Nikolla, në një farë mase nuk është në gjendje të keqe, manastiri, duke përjashtuar në një fare mase kishën brenda oborrit, është duke dhënë shpirt. Sipas një banori të fshatit që kujdeset vullnetarisht për këtë objekt, manastiri në fjalë rezulton të jetë ndërtuar në periudhën e Bizantit, por një murg që ka jetuar këtu shumë kohë përpara ka lënë shënime, ku shkruhej se ky objekt është ndërtuar më 1089-n. “Pasuritë e manastirit janë mbajtur deri në vitin 1967, kur feja dhe institucionet e saj morën grushte vdekjeprurëse nga diktatura e kuqe. Kurse më 1997-n nga ky vend u vodhën disa ikona mjaft të vjetra e sende të tjera me vlerë”, shprehet 82-vjeçari Spiro Panajoti. Duke u ndodhur në një pozicion të favorshëm gjeografik, si një ballkon sipër Fushës së Dropullit dhe në rrugëkalimin që lidhte në shekujt e kaluar dy qendra të rëndësishme administrative të rajonit, Gjirokastrën dhe Delvinën, udhëtarët dhe karvanët qëndronin në mjediset e brendshme dhe në hijet e rënda të pemëve të manastirit, çlodheshin dhe ushqeheshin falas në mjedise të posaçme që quheshin “trapezari”. Megjithatë nga shkëlqimi i dikurshëm i manastirit sot ka fare pak gjurmë. Ajo që sot të frikëson, të trishton, është fakti që monumenti fetar e kulturor me një pasuri të hershme është lënë në mëshirë të fatit. çdo vonesë e mëtejshme në vlerësimin e tij, do të ndihmonte në rrënimin e manastirit dhe gjendja do të ishte e pariparueshme më pas. Ndërhyrja e fundit restauruese këtu, është kryer rreth 35 vjet më parë. Aktualisht muret, harkatet, kambanorja, hajatet, koçeku, trapezaria dhe pjesë të tjera të këtij objekti janë duke u rrënuar dhe shembur. Në verën e vitit 2006, banorët e Dhuvjanit bënë publik faktin e gjetjes së një ikone apo embleme të prodhuar në vitit 1819 dhe që përmbante emrat 6 shenjtorëve të krishterimit ortodoks dhe pjesë nga eshtrat e 3 prej këtyre shenjtorëve. Në atë objekt të rrallë ishin të shkruar emrat e shenjtorëve: Shën Iulitës, Shën Theodhori i Stratillatës, Shën Ioan Hrisostomi, Shën Harallambit, Shën Elefteros dhe Shën Polikorpos. Pasardhësit e priftit të fshatit Dhuvjan, Papa Vllasit, e gjetën objektin e rrallë gjatë punimit të kopshtit të shtëpisë. Për ta ruajtur objektin e rrallë nga grabitjet e mundshme, besimtarët e Dhuvjanit i ndërrojnë vendin ikonës nga një shtëpi në tjetrën. Në mesin e korrikut të këtij viti, në ditën e festës fetare të Shën Julitës, besimtarët ortodoksë të fshatit janë lutur për herë të parë përpara këtij objekti të rrallë, një lloj embleme kushtuar 6 shenjtorëve.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›