E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet me armë çifti biznesmen



POGRADEC/ GEZIM ASHIMI

Grabitet me armë e maska çifti nga Pogradeci. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 të së hënës, kur bashkëshortët tregtarë të një dyqani bizhuterie po ktheheshin në banesën e tyre. Pasi kanë mbyllur dyqanin, ata janë nisur drejt pallatit ku banonin, por në hyrje të tij janë ndeshur me dy persona të maskuar, të cilët kishin edhe armë me vete.
"Dy persona të maskuar dhe të armatosur u kanë dalë përpara pronarëve të një dyqani në lagjen nr.4 të Pogradecit dhe nën kërcënimin e armës, me të cilën kanë shtënë edhe në ajër, i kanë detyruar të dorëzonin xhiron e ditës dhe bizhuteritë", bëri të ditur policia. Nga verifikimet e kryera dhe dëshmitë e të të dëmtuarve rezultoi se personat e maskuar dhe të armatosur kanë qëlluar me grushte fillimisht 53-vjeçarin me inicialet B.R. dhe më pas edhe gruan e tij H.R., 50 vjeçe. Kjo e fundit fillimisht ka menduar se personat ishin punonjës të policisë. Por kur debati ndërmjet tyre dhe bashkëshortit të saj ka vijuar, ajo tentoi të ndërhynte. Sipas dëshmisë së dhënë nga ana e bashkëshortëve në polici, një prej autorëve të kësaj grabitjeje, pas ushtrimit të dhunës ndaj tyre, në shenjë kërcënimi, iu ka treguar edhe armën e zjarrit që mbante në dorë. "Njëri prej grabitësve, që mbante në dorë një pistoletë, ka qëlluar disa herë në ajër, në mënyrë që të evitonte çdo rezistencë nga ana jonë apo e personave të tjerë që mund të gjendeshin rastësisht në atë vend", deklaroi çifti i grabitur me dhunë. Policia tha se ka gjetur në vendin e ngjarjes 7 gëzhoja pistoletë, me të cilën kanë qëlluar në ajër grabitësit e maskuar. Pasi kanë kanosur pronarin e lokalit me pistoletë, grabitësit i janë drejtuar gruas që mbante edhe çantën me bizhuteri dhe të holla dhe ia kanë rrëmbyer atë. Ajo kishte brenda saj xhiron e disa ditëve. Policia bëri të ditur se gruaja 50-vjeçare ka pohuar se kishte 150 mijë lekë në çantë, si dhe disa bizhuteri, vlera e të cilave ende nuk është përcaktuar. Pasi kanë marrë çantën me paratë e bizhuteri, autorët janë larguar në drejtim të paditur. Policia mbërriti vetëm pak minuta më pas në vendin e ngjarjes, e alarmuar edhe nga krismat e njëpasnjëshme të armës. Por ajo mundi të marrë vetëm dëshminë e çiftit të grabitur, ndërsa autorët kanë mbetur ende të paidentifikuar. Policia shoqëroi disa persona të dyshuar për këtë ngjarje, por pasi u morën në pyetje ata u lanë sërish të lirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›