Ina Rama, 5 reforma në Prokurori
Trazhgim Sokolaj
Ambasadori i Spanjës dhe ai i Komisionit Evropian kërkuan dje “çlirimin” e Prokurorisë nga ndikimet politike, në një takim të organizuar në ceremoninë e binjakëzimit të organit shqiptar të akuzës me Prokurorinë spanjolle. Diplomatët Manuel Montobio dhe Helmuth Lohan, kërkuan më shumë punë dhe angazhim për pavarësinë e gjyqësorit në Shqipëri. Deklarata u bë në takimin e organizuar nga Prokuroria e Përgjithshme shqiptare, në kuadër të projektit të binjakëzimit me Prokurorinë spanjolle. Duke iu referuar Progres Raportit të vitit 2009 të Komisionit Evropian për Shqipërinë, i cili shprehet se “sistemi i drejtësisë në Shqipëri vazhdon të funksionojë dobët, për shkak të problemeve me pavarësinë, transparencën dhe efiçencën”, ambasadorët bënë thirrje për përmirësimin e gjendjes në këtë drejtim. Në takimin e djeshëm, ishte i pranishëm dhe Prokurori i Përgjithshëm i Spanjës, Candido Pompido Touron, i cili ka zhvilluar dje takime përveçse me homologen e tij Ina Rama, edhe me Presidentin e vendit Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha dhe Ministrin e Drejtësisë, Bujar Nishani. Gjatë takimit me Prokurorin e Përgjithshëm spanjoll, Kryeministri Berisha është shprehur se
“prokuroria shqiptare ka treguar progres në vitet e fundit dhe ka dëshmuar vendosmëri në zbatimin e ligjit”. Kreu i Qeverisë pohoi se funksionimi i Task Force-s kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit, të drejtuar nga Prokuroria, është një strukturë mjaft e rëndësishme në këtë luftë dhe ka arritur suksese të dukshme në këtë drejtim.
Ndihma 800 mijë euro
Dje në Tiranë është mbyllur projekti i ndihmës së Bashkimit Evropian për Prokurorinë shqiptare, një projekt ky me vlerë 800 mijë euro. “Projekti ka ndihmuar Prokurorinë e Përgjithshme të përmirësojë sistemet e veta të menaxhimit profesional dhe praktikat e punës, që të rrisë efiçencën dhe transparencën e funksioneve të Prokurorisë në Shqipëri”, thanë burimet zyrtare. Sipas tyre, BE ka mbështetur Shqipërinë në kapërcimin e disa prej problemeve në sistemin e drejtësisë, duke përmirësuar infrastrukturën gjyqësore (ndërtimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë, rregullimi apo rindërtimi i gjykatave të Sarandës, Vlorës, Dibrës, Korçës), dhe duke sjellë në Shqipëri ekspertizën e nevojshme për hartimin e ligjeve. Projekti i BE-së, është zbatuar nëpërmjet një binjakëzimi mes Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë, Prokurorisë së Përgjithshme të Spanjës dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit të Italisë. Ky projekt ka për qëllim rritjen e cilësisë së inspektimit dhe promovimit të prokurorëve.
5 reforma në Prokurori
Gjatë fjalës së saj në takimin e djeshëm, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, prezantoi dje pesë reformat e ndërmarra gjatë projektit me Spanjën dhe Italinë. Sipas Prokurores së Përgjithshme është hartuar “projekt-rregullorja për kryerjen e inspektimit dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj prokurorëve”, e cila parashikon përmirësimin e punës në kontrollin e prokurorëve. Ina Rama tha se është përfunduar gjithashtu “projekt-urdhri për organizimin e mbledhjes së prokurorëve”, një dokument i cili parashikon takime të vazhdueshme mes prokurorëve të shkallës së parë dhe Apelit për koordinimin e punës. Një tjetër reformë është projekt-urdhri mbi procesin e trajnimit të prokurorëve”. Ky urdhër parashikon trajnimin e detyrueshëm të prokurorëve që nuk i janë nënshkruar proceseve të tilla. Ina Rama tha se është pothuajse gati drafti i rregullores së brendshme të organizimit dhe funksionimit të Prokurorisë së Përgjithshme. Kryeprokurorja tha se “për herë të parë ne do të kemi një draft për vlerësimin e prokurorëve, i cili shumë shpejt do t’i nënshtrohet një procesi të gjerë në të cilin do të thithet mendimi i të gjithë trupës së prokurorëve, duke synuar kështu krijimin e një sistemi vlerësimi sa më realist për shkak edhe të kompleksitetit që ai paraqet”.