Grabitet me armë kazinoja në kryeqytet
Një person i armatosur hyri në një sallë lojërash fati në rrugën "Myslym Shyri", duke marrë nga arka 3.5 milionë lekë të vjetra Përpara se të largohej, autori i ngjarjes kërcënoi rojen e sigurisë, disa javë më parë në të njëjtën rrugë ndodhi një supergrabitje
TIRANË- Vetëm pak javë pas një grabitjeje me armë të filialit të një banke të nivelit të dytë në rrugën "Myslym Shyri", maskat godasin sërish.
Një sallë lojërash fati elektronike, u sulmua dje në mëngjes herët nga njerëz të armatosur të cilët mundën të merrnin nga arka të gjithë shumën e parave që mendohet se ishte grumbulluar nga kjo sallë për gjatë mbrëmjes së të martës duke u gdhirë dita e djeshme.
Grabitja e kazinosë ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit të ditës së djeshme, ku një person i maskuar dhe i armatosur hyri në ambientet e sallës së lojërave të fatit që ndodhet në rrugën "Myslym Shyri" dhe dyshohet të kenë marrë nga aty një shumë prej rreth tre milion e gjysmë lekë të vjetra. Autori që ka realizuar grabitjen, ka mundur t'i shpëtojë arrestimit të policisë, duke u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Grabitja
Kur agimi po zbardhte ditën e djeshme, kazinoja në rrugën "Myslym Shyri", dukej se kishte mbledhur një dorë të mirë parash, nga klientët që e kishin frekuantuar atë gjatë orëve të vona të të martës. Duheshin edhe së paku dy orë që turni të mbyllej dhe xhiroja të dorëzohej. Një person kaloi derën kryesore të kazinosë ndërsa me vete kishte një armë zjarri, pistoletë.
Menjëherë ai është shfaqur tek arka, i maskuar ndërsa në dorë mbante armën, duke i kërkuar punonjësit t'i dorëzonte të gjitha kartëmonedhat e mbledhura. Nuk është dashur shumë dhe paratë janë bërë të personit të armatosur ndërsa ai është larguar me shpejtësi që aty.
Hetimi
Nga hetimi i specialistëve të zyrës së Vjedhjeve me dhunë dhe me Armë, mësohet se ngjarja është kryer nga një person i vetëm, i cili nën kërcënimin e armës arriti të marrë shumën e lekëve që gjendeshin në ato momente në arkën e kazinosë.
Kazinoja e vendosur pranë ish- kinema "Dajtit", u bë objekt i grabitjes në orët e para të mëngjesit, ku lëvizjet në atë zonë ishin të rralla, duke bërë që grabitësi të largohet pa u vënë re nga persona të tjerë.
Në largim e sipër, sipas burimeve të policisë autori i grabitjes kërcënoi rojen e sallës së lojërave të fatit.. Menjëherë pas ngjarjes, policia mbërriti aty pas njoftimit të marrë për të nisur hetimin e krimit.
Oficerët e zyrës së grabitjes kanë marrë deklarimin e punonjësit që ka qenë në kazino, në kohën kur personi i armatosur ka hyrë brenda me qëllim grabitjen e lekëve që ndodheshin në arkën e sallës së lojërave të fatit, që ndodhet në rrugën "Myslym Shyri".
Punonjësi është pyetur me detaje për veprimet e autorit të ngjarjes si dhe për ndonjë karakteristikë të veçantë të tij, me qëllim identifikim dhe arrestimin e personit që dyshohet se grabiti kazinonë me armë zjarri. Në pyetje është marrë edhe administratori i sallës së lojërave të fatit, i cili ka dëshmuar rreth ngjarjes.
Dje në mëngjes herët mësohet se policia ka ushtruar kontrolle të shumte në rrugën "Myslym Shyri", por pa arritur që të bjerë në gjurmët e autorit të dyshuar të ngjarjes.
Ndërkohë hetimet po vazhdojnë për zbulimin e autorit të grabitjes së lekëve në kazino dhe nëse ky i fundit është ndihmuar nga persona të tjerë për t'u larguar nga vendi i ngjarjes.
3.5 milionë lekë dyshohet të jetë shuma e grabitur dje në mëngjes në kazinonë që ndodhet në rrugën "Myslym Shyri", në kryeqytet, afër ish- kinema Dajtit.
1 person i vetëm i armatosur hyri në kazino mëngjesin e djeshëm, ndërsa nën kërcënimin e armës ai mundi të marrë paratë. Policia dyshon se ai është ndihmuar nga një i dytë
80 mijë euro afërsisht dyshohet të jetë shuma e lekëve të grabitura në filialin e një banke të nivelit të dytë, e cila u sulmua tri javë më parë me armë vetëm 200 metra larg ngjarjes së djeshme
Para tri javësh u grabit dega e një banke aty pranë
Rreth tre javë më parë, më datën 17 shkurt të këtij viti, disa metra larg vendit ku ndodhet kazinoja që u grabit dje, dy persona të armatosur grabiten një filial të një banke të nivelit të dytë duke marrë nga aty një shumë të konsiderueshme lekësh.
Ngjarja ndodhi në mëngjes e kësaj date rreth orës 08:30, kur dy personat që realizuan grabitjen hynë në mënyrë të shpejtë pas punonjësve të filialit të bankës duke i detyruar ato të dorëzonin paratë që gjendeshin në ato momente në kasafortë, shumë që dyshohet se kapte shifrën e rreth 80 mijë eurove.
Në momentin kur autorët e grabitjes hynë për të marrë paratë, ata mundën të shmangin edhe rojën e sigurisë së objektit i cili sipas njoftimit zyrtar të policisë për ngjarjen nuk ndodhej në vendin e tij të shërbimit sipas mënyrë së përcaktuar për të ruajtur godinën e bankës.
Pas kësaj ngjarjeje, policia ndaloi rojën e bankës për shpërdorim detyre, i cili më pas u la i lirë nga gjykata për mungesë provash.
Për këtë grabitje Policia e Tiranës njoftoi se do të shpërblejë me 10 milionë lekë të vjetra personin që do të japë informacion për autorët e grabitjes së filialit të bankës, në rrugën "Myslym Shyri", mëngjesin e datës 17 shkurt.