E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia: Vëllezërit Myrtaj rrahën banorin

10/03/2010 Vijon çështja “Ruzhdie”, ngjarja konsiderohet rrahje e rëndë

Masa për dy agresorët ka qenë “procedim në gjendje të lirë”

Pas rrahjes së njërit prej banorëve të fshatit Ruzhdie në rrethin e Fierit, ka qenë policia ajo që ka dalë dje me një deklaratë për mediat. Policia njofton se tashmë nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se autorë të dyshuar të kësaj ngjarjeje janë shtetasit Rrapo dhe Pëllumb Myrtaj, vëllezër dhe banorë të fshatit Ruzhdie. “Duke marrë shkas nga disa artikuj në shtypin e shkruar dhe prononcime në median vizive, ju bëjmë me dije se në datë 08.03.2010, rreth orës 08.00, në qendër të fshatit Ruzhdie të rrethit Fier është rrahur dhe goditur shtetasi Isuf Kamberi. Veprimet e para hetimore kanë sjell një konkluzion se autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje janë shtetasit Rrapo dhe Pëllumb Myrtaj, banorë të fshatit Ruzhdie”, ka vijuar komunikata e policisë së qarkut Fier. Ndërkohë policia deklaron se i dëmtuari në bazë të aktit mjeko-ligjor ka marrë dëmtime të tjera që kërkojnë deri në 9 ditë paaftësi të përkohshme në punë. Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit gjyqësor Fier për veprën penale “dëmtime të tjera me dashje” parashikuar nga neni 90 i Kodit Penal. Ndërkohë për ish-komisionerin dhe të vëllain ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë, pikërisht për këtë akuzë. Dy ditë më parë ish-komisioneri i PD-së, Pëllumb Myrtaj, i ndihmuar edhe nga vëllai i tij Rrapo Myrtaj ka dhunuar një banor të Ruzhdies, votues i PS-së, Isuf Kamberaj. "Më doli përpara dhe më tha, pse je prononcuar te një televizion dhe ke thënë të hapen kutitë",- ka thënë Kamberaj gjatë denoncimit në polici.

I dhunuari i shoqëruar edhe nga vëllai i tij kanë kërkuar drejtësi fill pas agresionit dhe marrjen e masave për komisionerin e PD-së, Myrtaj, në të kundërtën do të provonte vetëgjyqësinë, por duket se policia në komunikatën zyrtare ka heshtur përballë faktit se pse janë lënë të lirë 2 agresorët vëllezërit Myrtaj. Çështja e tyre tashmë ka shkuar në Prokurorinë e Fierit, e cila ka vendosur “procedim penal në gjendje të lirë”. Do të jetë Gjykata e Shkallës së Parë të rrethit gjyqësor Fier ajo që do të vendosë dënimin për komisionerin e PD-së dhe vëllain e tij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›