Java nisi me një ulje të re të çmimit të karburanteve
Tregu i karburanteve aplikoi një ulje të lehtë të çmimeve këtë fillim javë, e cila është ende shumë larg uljes reale të çmimit që duhet të ndiqte ato të tregjeve ndërkombëtare. Nga vëzhgimet e kryera në pika të ndryshme të tregtimit të karburanteve, rezulton se çmimet kanë pësuar ulje nga 5-7 lekë/litri në dy ditët e para të kësaj jave. Kështu, të hënën 1 litër naftë si dhe benzina, u shitën me 140 lekë, ndërsa 1 litër “Euro Diezel”, me 145 lekë. Ndërsa dje1 litër naftë u shit me 140 lekë, ndërsa 1 litër benzinë dhe 1 litër “Euro Diezel” me nga 145 lekë. Specialistët e lidhin këtë ndryshim në çmimet e karburanteve me lëvizjet në tregun ndërkombëtar, ku ditët e fundit një fuçi naftë është shitur me 80-83 dollarë. Mirëpo duke marrë në konsideratë uljen e nivelit të çmimit në tregun ndërkombëtar, një litër naftë në tregun vendas nuk duhej të shitej më shume se, 115-120 lekë për litër duke pasur parasysh edhe nivelin e taksimit të karburanteve në vendin tonë. Në fillim të javës së kaluar, 1 litër naftë u shit mesatarisht me 145 lekë, 1 litër benzinë me 147 lekë, ndërsa 1 litër “Euro Diezel” me 152 lekë. Lajmet se, ekonomia amerikane po pëson një recensionin të madh ekonomik, tronditën edhe më shumë bursat. Nga e gjithë kjo situatë duket se, çmimi i naftës ka frenuar ritmet e "çmendura" të rritjes të vënë re gjatë 6-mujorit të parë të vitit. Një fuçi nafte në tregjet ndërkombëtare dje ka kushtuar vetëm 92 dollarë, ndërkohë që analistët lajmërojnë se nëse recensioni në ekonominë botërore vijon, çmimi i naftës do të shënojë ulje të mëtejshme. Nga muaji qershor çmimi i naftës për një fuçi është ulur në më shumë se, 45 për qind. Nga 145 dollarë që u shit një fuçi naftë në muajin qershor, tani nuk shitet për më shumë se, 80 dollarë.
BSH: Paga mesatare në shtet shënon rritje me 0.4 për qind
Duke iu referuar statistikave të BSH-së rezulton se paga mesatare në sektorin shtetëror arriti në 35.800 lekë ose 0.4 për qind më e lartë krahasuar me 3-mujorin e fundit të vitit 2007 dhe 12.4 për qind më e lartë në bazë vjetore. Niveli i pagave ka shënuar rritje gjatë 3-mujorit të dytë të vitit 2008, si në sektorin shtetëror edhe në atë privat. Banka vëren se masat administrative të marra gjatë vitit të fundit kanë vijuar të ndikojnë edhe në rritjen e nivelit të pagave në sektorin privat gjatë tremujorit të parë. Sipas Bankës Qendrore, sektori i ndërtimit ka regjistruar rritjen më të lartë për treguesit e punësimit dhe të pagave që gjatë tremujorit të parë, gjë që është vërejtur me tepër në fushën e punimeve inxhinierike. Ndërsa sektori i industrisë ka vazhduar të ruajë pothuajse të njëjtin ritëm rritjeje edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2008. Tremujori i parë i vitit regjistroi një rritje në nivelin e pagës bazë minimale mujore me rreth 14 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ndryshim që e solli pagën minimale në nivelin 16.000 lekë.
Amnistia, 6100 biznese i kanë borxh shtetit 180 milionë lekë nga sigurimet
Bizneset që përfitojnë nga skema e amnistisë fiskale, sa i përket mospagesës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore janë 6100. Bëhet fjalë për bizneset e mëdha dhe të vogla që nuk kanë paguar kontribute për vite me radhë për të cilët qeveria ka vendosur t’u falen kamatëvonesat dhe gjobat. “Këto subjekte kanë borxhe rreth 180 milionë lekë të reja dhe kamatëvonesa kanë rreth 100 milionë lekë. 23 milionë lekë të reja janë për biznesin e madh dhe kamatëvonesa e tyre është rreth 100 milionë lekë të reja”, - tha Naim Balluku. Ligji që hyri në fuqi më 8 tetor do të ketë efekt brenda këtyre gjashtë muajve, kohë kur bizneset mund të paguajnë detyrimet bazë. Për ata persona që brenda këtyre 6 muajve bëhen pjesë e paketës së lehtësirave do të ketë ulje në masën 40 për qind për kontributet. Veç personave që punojnë në të zezë ulje do të ketë edhe për kompanitë që nuk kanë paguar kontributet. Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Kontributeve në ISSH, Naim Balluku. Sipas tij, ka një masë përfitimi të ndarë për personat që jetojnë në zonat urbane dhe në ato rurale. “Në zonat malore ato paguajnë gjithsej 46 mijë lekë të reja për të përfituar një periudhë vjetërsie prej 15 vjet e tre muaj, kurse zonat fushore rreth 78 mijë lekë të reja”, - tha Balluku. Në të gjithë vendin janë rreth 250 mijë persona që përfitojnë.
16 Tetor 2008