Grabitet natën xhamia e “E`them Beut” në qendër të kryeqytetit
TIRANE - Vjedhja më e fundit e realizuar në kryeqytet, ka dëmtuar një institucion fetar, konkretisht xhaminë në qendër të Tiranës. Grabitësit këtë herë jo vetëm që kanë realizuar “operacionin” e radhës në qendër të qytetit, por nuk kanë kursyer as paratë e hedhura në kasafortën e xhamisë me rastin e festës së Kurban Bajramit. Ngjarja ka ndodhur vetëm disa ditë pas festës së besimtarëve myslimanë dhe hajdutët kanë gjetur momentin kur arka ishte e mbushur me para nga besimtarët. Vjedhja është konstatuar nga administratori Lufti Çeka, i cili menjëherë sapo ka parë që kasaforta nuk ndodhej në xhami, ka lajmëruar policinë e Tiranës. Burime nga policia thanë se ngjarja ka ndodhur gjatë natës duke u gdhirë dita e enjte dhe autorët kanë thyer dy dyer të xhamisë, duke u futur në ambientet e brendshme ku mbahej kasaforta. Më pas kanë njerrë jashtë kasafortën me para dhe janë larguar. Përfaqësues të xhamisë së “Ethem Beut” thanë për gazetën “Panorama” se duke qenë se ndërtesa ndodhet në qendër të Tiranës, asnjëherë nuk janë interesuar nesë aty duhet të qëndrojë një roje, pasi nuk kishin ndodhur incidente të tilla. Gjithashtu ata shpjeguan edhe momentin kur është parë mungesa e kasafortës, duke treguar se për grabitjen e saj është dashur thyerja e dy dyerve. Fillimisht grabitësit kanë thyer derën e jashtme të xhamisë, për t’u futur në ambientin ku kryhet falja e besimtarëve e më pas kanë thyer derën e dhomës ku mbahej kasaforta. Gjithçka është zbuluar në orët e para të mëngjesit, kur do të kryhej riti i përditshëm i faljes. Bësimtarët dhe administratorët kanë vënë re thyerjen e më pas kanë parë që kasaforta, në të cilën ndodheshin rreth 3-4 milionë lekë , që ishin hedhur gjatë festës së Kurban Bajramit, nuk ndodhej ne vendin e saj. Pas konstatimit ata i janë drejtuar policisë, e cila ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Deri mbrëmë në orët e vona, askush nuk është ndaluar për këtë ngjarje. Burime nga policia thanë se kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe kanë fiksuar disa gjurmë që mund t’i çojnë shumë shpejt në kapjen e autorëve. Nuk dihet ende se sa para ndodheshin në kasafortë, pasi nuk ishin numëruar.