Kreu i dhomës së tregëtisë në Lezhë padit Indrit Aliun
TIRANE – Kreu i dhomës së Tregëtisë së Lezhës padit në gjykatë supermashtruesin Indrit Aliu, pasi nuk i ka kthyer shumën prej 25 mijë euro dhe 12 milionë lekë që ia ka marrë në formë huaje. Padia e Pashko Palokajt është depozituar pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës dhe pas procedurave të shortit elektronik në këtë institucion i është dorëzuar gjyqtares së çështjeve civile, Altina Xhoxhaj. Burime zyrtare nga gjykata e kryeqytetit pohojnë se çështja mban numrin 14671 dhe se është regjistruar më datë 23 nëntor 2009. Paditësi është Pashko Palokaj dhe i paditur Indrit Aliu. Dosja e cila pritet të nisë të shqyrtohet së afërmi është klasifikuar si padi “Kontratë Huaje” dhe është mbështetur në nenet 1050-1055 të Kodit Civil. Objekti i padisë është: “Detyrimi i palës së paditur për të kthyer shumën prej 12 milionë lekë dhe 25 mijë euro të dhëna hua nëpërmjet kontratës së huasë të datës 10 mars 2009, të nëshkruar para noteres publike M.Sh. me nr 1328 repertori dhe numër 361 koleksioni. Detyrimin e palës së paditur për të paguar dëmin e shkaktuar në masën një milionë lekë”. Burime nga gjykata pohojnë se Palokaj ka rënë pre e supermashtruesit Aliu vetëm pak ditë para se ai të arratisej jashtë vendit duke rrëmbyer në total shuma që shkojnë në rreth 5 milionë euro. 25 vjeçari me origjinë nga Vlora në fillim të marsit kishte rënë dakord me biznesmenin Palokaj që ky t’i huante një shumë të konsiderueshme të hollash, të cilat Aliu do ia kthente më vonë. Për ta bërë sa më të besueshme marrëveshjen Aliu nuk ka pranuar t’i merrte paratë në dorë nga biznesmeni lezhjan, por e ka dërhguar atë para një notereje përballë Gjykatës së Tiranës. Aty të dy palët kanë rënë dakord për shumën që shkon në rreth 15 milionë lekë të reja dhe të dy kanë firmosur me vullnet kontratën që ka përpiluar noterja. Vetëm gjashtë ditë më vonë Aliu u zhduk së bashku me paratë, duke kaluar kufirin në një moment që nuk funksiononte sistemi TIMS i kontrollit të pasaportave. Rreth një muaj më parë Aliu u prangos në Greqi dhe pritet të ekstradohet në Shqipëri ku hetimet ndaj tij kanë shkuar drejt fundit. Në momentin e arrestimit të tij organet e hetimit pohuan se Aliu gjatë tetë muajve të arratisë ka lëvizur nëpër disa vende si Maqedoni, Turqi dhe Greqi ku strehohej nëpër të njohur. Në Greqi, ai kishte mbërritur vetëm pak javë para arrestimit duke kaluar kufirin nga Maqedonia në mënyrë të paligjshme. fa.ma.