Grabitet në kishë ikonostasi dy shekullor, mister autorët
PERMET/ PIRO NASE
Grabitet kisha e Shën Mërisë në Leusë të Përmetit. Objekti më me vlerë i kësaj kishe, siç është ikonostasi, është rrëmbyer nga persona ende të paidentifikuar për Policinë e Përmetit. Ikonostasi me një moshë mbi 200-vjeçare, i punuar në dru me një mjeshtëri të lartë artistike, është vjedhur në orët e para të ditës së djeshme nga persona ende anonimë. Objekti i grabitur qëndronte i palëvizur nga kisha e fshatit Leusë rreth 3 km në jug të qytetit të Përmetit, qysh në vitet e para të shekullit të XIX.
Burime zyrtare nga Komisariati i Policisë së Përmetit, kanë konfirmuar për gazetën “Panorama” se policia lokale është njoftuar në mëngjes nga përgjegjësi i kishës, i cili sapo hapi portën kryesore konstatoi mungesën e ikonostasit. Me marrjen e njoftimit përmes Sallës Operative, në vendngjarje kanë shkuar ekspertët e kriminalistikës së Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, të cilët kanë grumbulluar prova materiale për të zbuluar autorët që kanë kryer këtë akt të shëmtuar. Mendohet se keqbërësit kanë hyrë përmes portës kryesore të kishës, duke e shqyer me mjete të forta. Kisha e Shën Mërisë në fshatin Leusë, ngrihet në një lartësi afër luginës së Vjosës mes qiparisëve dhe qëndron madhështore në veçantinë e vet. Duke marrë për bazë mbishkrimin e pikturuar sipër portës hyrëse nga ana veriore, ikonostasi i vjedhur i kishës së Leusës ka përfunduar së punuari në vitin 1817. Megjithëse në mbishkrim thuhet se kisha është ndërtuar nga themelet në vitin 1812, siç është e zakonshme në mbishkrimet e këtij karakteri, të dhëna të tjera i atribuojnë vetëm pikturimit të kishës, duke ngritur njëkohësisht supozimin se ndërtimi i kishës është më i hershëm. Në anën jugore i bashkëngjitet një paraklis (kishë e vogël), e ndërtuar më vonë. Ikonostasi ishte mbështetur në çiftin lindor të kolonave të kishës, i stolisur me gdhendje të thella deri në 7 cm. Të gjitha së bashku janë konsideruar si kryevepra të arteve të aplikuara. Kjo është hera e parë që grabitet kisha e Shën Mërisë në fshatin Leusë nga keqbërësit. Fshati Leusë ndodhet në jug të qytetit të Përmetit, rreth 30 minuta me këmbë. Aktualisht në këtë fshat jetojnë 45 familje. Gjatë viteve të tranzicionit shumë banorë kanë emigruar, kryesisht në Greqi.