Grabitet një bankë në kryeqytet, rikthehet banda e Gaxhait, vjedhje me armë në Vlorë
TIRANË - Valë vjedhjesh me armë në Tiranë dhe Vlorë. Një person ka kryer një grabitje pasditen e djeshme në një filial banke në Tiranë, duke marrë 50 mijë lekë. Nga ana tjetër, dy persona, anëtarë të dyshuar të bandës së Gaxhait, janë vënë në pranga në Vlorë gjatë operacionit të koduar “Maskat”. Në këtë mënyrë janë rikthyer grabitjet famëkeqe të bandës së Gaxhait. Një prej ish-anëtarëve të vjetër të bandës, në bashkëpunim edhe me shokun e tij, kanë organizuar grabitjen e dy vilave dhe të një karburanti. Të armatosur deri në “dhëmbë” me maska, Lodian Zykaj, 30 vjeç dhe Viktor Nuredinaj, 39 vjeç, kishin bërë planin për grabitjet që do të kryheshin në seri. Vjedhjet do të kryheshin në orët e natës, kur banorët e vilave ndodheshin në gjumë. Nuredinaj dhe Zykaj kishin vëzhguar vendin disa ditë radhazi. Të arrestuarit kishin konstatuar se në një vilë ka pasur dhe qen. Ata kanë përgatitur planin se si do ta helmonin. Mësohet se dje kanë marrë me vetë një qese me sallam të helmuar, të cilin do t’ia jepnin si ushqim qenit për të evituar lehjet e tij. Grabitjet ishin përcaktuar që të kryheshin dje në orën 02:30. Plani nuk u ka dalë siç e kishin parashikuar. Viktor Nuredinaj dhe Lodian Zykaj janë arrestuar në flagrancë në momentin që do të kryenin grabitjet me armë. Operacioni u kodua “Maskat”. Sipas policisë, Komisariati i Vlorës dispononte informacione se në qytetin bregdetar ishte aktivizuar një grup me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, të cilët kishin organizuar për të bërë disa grabitje me armë dhe maska të disa karburanteve dhe banesave që ndodhen në lagjen “28 Nëntori” në Vlorë. Sipas policisë, Nuredinaj është dënuar si anëtar i bandës së Gaxhait. Nuredinajt dhe Zykajt, në momentin e arrestimit iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy automatikë model 56 (kallashnikov), 150 fishekë model 56, 5 karikatorë model 56, një armë pistoletë TT, 2 krehra pistolete me 14 fishekë, 5 palë doreza të gomuara, katër maska me ngjyrë të zezë, një mjet “Volkswagen Polo” me targë TR 3279 N, si dhe një qese me sallam të helmuar që do të përdorej për të helmuar qenin e objektit ku do të bëhej grabitja.
Ndërsa në Tiranë është grabitur me armë një bankë. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme, rreth orës 18:00, kur një person i armatosur ka grabitur një filial të bankës NBG, të ndodhur në autostradë. Personi ende i paidentifikuar, me të hyrë në filialin e bankës, ka kërcënuar me armë punonjësen duke grabitur kështu një shumë parash prej 50 mijë lekësh. Me të grabitur bankën, personi është larguar në drejtim të paditur, ndërsa forca të shumta policie shkuan në vendngjarje për hetimet paraprake. Fillimisht është marrë në pyetje punonjësja e bankës, ndërsa është shpallur në kërkim grabitësi i paidentifikuar.
3 Korrik 2010