E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtruan 100 qytetarë, bien në pranga “agjentët” e Interpolit



Artan CENA
TIRANË - Dy persona janë vënë në pranga pasi kanë mashtruar më shumë se 100 qytetarë. Ka qenë një operacion i policisë i zhvilluar dje që ka çuar në qeli dy të dyshuarit, të cilët prezantoheshin si agjentë të Interpolit. Gjatë një komunikimi zyrtar, Policia e Shtetit tha se nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Departamentin kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, rreth orës 18:30 të ditës së djeshme kanë finalizuar operacioni policor të koduar “Agjenti i rremë”. Gjatë këtij aksioni janë vënë në pranga; Fatmir Fllaga, 55 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë dhe Adriana Ura, 26 vjeçe, lindur në Shkodër dhe banuese në Tiranë.
Hetimet
Hetimet e kryera nga policia kanë zbuluar se dy të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke u prezantuar sikur përfaqësonin Zyrën e Interpolit Ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë, kanë mashtruar rreth 100 qytetarë, të cilëve u premtonin se do t’i punësonin si agjentë të Interpolit, duke përfituar prej tyre shuma të konsiderueshme në para. Ndërkohë, viktimat e mashtrimit të tyre i pajisnin me dokumente identifikimi dhe pasaporta diplomatike false. Fatmir Fllaga dhe Adriana Ura kishin krijuar një staf zyre me financierë e punonjës të tjerë dhe u paraqiteshin qytetarëve sikur financoheshin nga shtetas të huaj, me drejtor të Përgjithshëm një shtetas me emrin e rremë Romollo Berluskoni. Finalizimi me sukses i këtij operacioni u bë i mundur pas një hetimi 2-mujor të strukturave të Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë.
Arrestimi
Gjatë ndalimit të këtyre personave u është sekuestruar një sasi e konsiderueshme dokumentesh dhe provash materiale, të cilat i përdornin për kryerjen e veprës penale. Policia tha se pas arrestimit dosja me materialet procedurale në ngarkim të tyre i ka kaluar Prokurorisë nën akuzën e kryerjes së veprave penale të “mashtrimit të kryer në bashkëpunim”, si dhe “falsifikimit të dokumenteve”. Policia e Shtetit tha se gjatë këtyre ditëve ka arritur të parandalojë mashtrime të tjera në dëm të qytetarëve shqiptarë. Pikërisht për mbrojtjen e tyre, Policia e Shtetit u ka bërë thirrje edhe njëherë të gjithë qytetarët që të tregohen të kujdesshëm e të mos bien viktimë e mashtrimeve të këtij lloji dhe për çdo rast të kontaktojnë me strukturat e Policisë.

3 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›