Grabitet pas mesnate distributori i karburantit
Një pikë karburanti është grabitur me armë duke gdhirë dita e djeshme. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01.00 në pikën e karburantit "Lamçe-Petroleum", përgjatë rrugës kombëtare Fier-Vlorë, pranë Urës së Mifolit. Punonjësi i turnit të natës, Osman Shahaj, tregoi në polici se tre të rinj me një automjet me targa të Vlorës kanë hyrë në distributor për t‘u furnizuar. Por, kur ka ardhur momenti i pagesës të rinjtë kanë dalë njëkohësisht nga makina dhe kanë rrethuar punonjësin Shahaj. Njëri prej tyre i ka kërkuar paratë që kishte në xhep. Fillimisht Shahaj ka ngurruar, por i riu ka nxjerrë një pistoletë dhe me të ka qëlluar aparaturat e distributorit. Pas kësaj, punëtori ka dorëzuar 100 mijë lekë dhe aparatin celular. Krisma e armës ka bërë që rojat dhe punonjësit e bizneseve pranë distributorit të karburantit të alarmoheshin. Ata kanë njoftuar të parët policinë, që ka mbërritur shpejt në vendin e ngjarjes. Policia gjeti në vendngjarje një gëzhojë, si edhe predhën e plumbit të ngulur në një nga aparaturat e distributorit. Punëtori u ka treguar policëve targën e mjetit të grabitësve, çka ka qenë një ndihmë e çmuar për identifikimin e tyre. Rreth 14 orë pas ngjarjes, policia ka mundur të identifikojë autorët, të cilët janë Arben Braho, Benard Muco dhe Ilir Metushi, të tre nga Vlora. Policia ka arrestuar Brahon, ndërsa po punon për kapjen e dy të tjerëve.
M. Troka
M. Troka