E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabiti Exchange me armë, kapet i kërkuari

 

TIRANE - Operacioni "Muzgu" i policisë së Tiranës, ka arrestuar mëngjesin e djeshëm autorin e dyshuar të grabitjes, që ndodhi në fillim të javës në një pikë këmbimi valutor. Policia ka vënë në pranga një 31-vjeçar, i cili dyshohet se është autor i disa vjedhjeve të ndodhura në Tiranë. Operacioni i policisë, i drejtuar nga shërbimet e Seksionin e Krimeve ndaj Pronës në Komisariatin e Policisë Nr.2 ka kapur në flagrancë Festim Skermon. 31-vjeçari lindur dhe banues në fshatin Poloskë të rrethit Devoll akuzohet për një sërë vjedhjesh të ndodhura në kryeqytet. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, mësohet se Skermo është i dyshuar edhe për vjedhjen e lokalit "Rodjon" në rrugën "Muhamet Gjollesha" si dhe po hetohet edhe për disa vjedhje, që kanë ndodhur ditët e fundit në kryeqytet. Burime nga policia thanë se Festim Skermo ishte i dënuar më parë me 6 vjet burg për veprën penale të vrasjes me dashje të mbetur në tentativë. Policia informon gjithashtu se po punohet në grup pune nga specialistët e Hetimit të Krimit për dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të këtij personi, pasi në bashkëpunim me persona të tjerë dyshohet se ka kryer disa vjedhje të tjera në qytetin e Tiranës. Po verifikohen provat e mbledhura në disa banesa, lokale dhe pika këmbimi valutor në Tiranë, të cilat ende janë pa autor për të bërë krahasimin me personin e arrestuar. Në përfundim të operacionit "Muzgu", vetëm disa minuta pas arrestimit të Festim Skermo, policia ka kapur në flagrancë edhe një tjetër person në momentin që po tentonte të vidhte disa vegla ndërtimi. Burimet sqaruan se është arrestuar 20-vjeçari Sabah Kovaçi, i cili është kapur duke vjedhur në afërsi të rrugës së Kavajës në Tiranë.               e.d.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›