E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohet në Vlorë skafi 5.5 metra, kapen dy të kërkuarit për drogë

 

VLORE - Një operacion i Drejtorisë së Krimit të Organizuar, Policisë Kufitare dhe asaj të Vlorës, ka arrestuar mbrëmjen e së premtes dy persona, duke sekuestruar edhe një skaf me dy motorë. Sipas një njoftimi për shtyp nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, mësohet se janë arrestuar në Vlorë, 29-vjeçari Roland Lulaj dhe 38-vjeçari Ardian Gocaj, për të cilët kishte një nisur një procedim penal një vit më parë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sipas të njëjtave burimeve, procedimi penal Nr.82 i Krimeve të Rënda ka nisur në vitin 2008, pasi dyshohej se Lulaj dhe Gocaj ishin të implikuar në trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Policisë dhe prokurorisë i janë dashur pothuajse një vit hetime dhe sigurim provash, për të provuar akuzat e ngritura ndaj dy personave që u arrestuan mbrëmjen e së premtes në Vlorë. Gjatë arrestimit të tyre policia arriti të sekuestrojë edhe një motoskaf me gjatësi 5.5 metra, i cili dyshohet se përdorej nga ata, për të transportuar lëndët narkotike. Gjithashtu, u sekuestruan edhe dy motorët e skafit me fuqi 40 HP-Mërkuri dhe 9 HP-Mërkuri. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tyre policia sekuestroi 4 aparate celularë dhe 1850 euro. Mësohet se hetimet do të vazhdojnë për të identifikuar bashkëpunëtorët e dy të arrestuarve, pasi dyshohet se Lulaj dhe Gocaj mund të jenë të implikuar në veprimtarinë e tyre edhe me persona të tjerë.                                          e.d.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›