E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabiti e përdhunoi dy turistët çekë, ekstradohet nga Greqia autori i krimit

TIRANE - Ekstradohet nga Greqia një prej autorëve të përdhunimit me dhunë të një turisteje çeke në Korçë dy vite më parë. 

Redion Terolli, 21 vjeç, banues në Korçë, është sjellë në pranga mesditën e djeshme prej oficerëve të Interpolit, të cilët e transferuan atë nga Greqia, ku ishte arrestuar me kërkesë të palës shqiptare. Ekstradimi i Terollit është pohuar dje zyrtarisht nga Policia e Shtetit, e cila njoftoi ekstradimin e 21-vjeçarit të dënuar me tetë vite burg për grabitjen dhe kryerjen e marrëdhënieve seksuale me dhunë me një studente çeke, e cila vizitonte Velipojën dy vite më parë. Për të njëjtin krim, policia kishte shpallur në kërkim dhe Gjykata ka dënuar edhe bashkëpunëtorin e të ekstraduarit, Maljan Mecolli. Ky i fundit ende është shpallur në kërkim nga policia, pasi menjëherë pas ngjarjes mësohet se është larguar jashtë vendit. Ngjarja për të cilën akuzohen dhe janë dënuar Mecolli dhe Redion Terolli, ka ndodhur më 30 korrik të dy viteve më parë, në afërsi të fshatit Zvezdë të Korçës. Alena K., dhe i dashuri i saj, Robert T., të dy studentë nga Çekia, kishin vizituar një pjesë të vendeve turistike me vlera historike të Korçës dhe në Voskopojë. Më 27 korrik, dy turistët çekë janë drejtuar për në Prespë, nëpërmjet fshatit Zvezdë. Në një rrugë pranë fshatit, Redion Terolli dhe Maljan Mecolli kanë takuar dy studentët çekë që po vizitonin Korçën. Edhe pse të paarmatosur, Mecolli dhe Terolli kanë mundur të trembin dy studentët. Të dy personat akuzohen se kanë kryer marrëdhënie seksuale me vajzën çeke, e cila nuk mundi të mbrohej prej të dashurit të saj. Veç këtij krimi, autorët u kanë vjedhur me dhunë dy turistëve edhe një kamera dhe aparat fotografik, bashkë me një sasi të hollash që turistët kishin me vete. Pas kallëzimit të bërë nga dy çekët në polici, uniformat blu kanë identifikuar autorët, të cilët janë shpallur në kërkim me akuzën e grabitjes me dhunë dhe të kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë. Më 4 qershor të vitit të kaluar, gjykata e Korçës ka dënuar në mungesë dy të akuzuarit. Edhe pse krimi i kryer ishte jo pak i dënueshëm, Terolli ka marrë një masë dënimi prej 8 vitesh në burg. Më tepër se një vit e gjysmë pas ngjarjes, një nga të akuzuarit, Redion Terolli, është arrestuar nga policia greke. Në fund të vitit të kaluar, policia e Korçës dhe Interpol Tirana kanë këmbyer informacionet e tyre mbi vendndodhjen e njërit prej të kërkuarve. Falë këtij informacioni grekët kanë arrestuar Terollin, i cili është ekstraduar mesditën e djeshme. Sipas policisë, lidhur me Maljan Mecollin, personi i dytë në kërkim, është identifikuar vendndodhja dhe po punohet për kapjen e tij. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se që prej fillimit të këtij viti, falë informacioneve të policisë së Korçës, Interpoli ka kapur dhe ka ekstraduar më tepër se pesë persona shumë të kërkuar nga organet e drejtësisë. d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›