Grabiti kazanin e pagëzimit për të zjerë raki, arrestohet
PëRMET - Zgjati vetëm disa orë odiseja e 31-vjeçarit Françesko Kasaj i cili pasi vodhi mbrëmë vonë kazanin e pagëzimit në kishën e "Shën premtes" në lagjen Varosh në Përmet për të prodhuar raki, ka përfunduar në prangat e Policisë së qarkut në orët e paraditës së sotme. Policia e Përmetit bëri të ditur sot se “Kasaj u ndalua në banesën e tij fshatin Zhepovë, 3 km larg qytetit të Përmetit pas denoncimit të përgjegjësit të kishës së Shën e Premtes. Mësohet gjithashtu se Kasaj punonte me detyrë “Epitrop”, në Kishën Shën e Premte. Gjatë kqyrjes së banesës u sekuestruan dy shandanë, dy kryqe bronxi, kupa e argjendtë e kungimit, një tabaka kungimi, 6 gota bronxi, thikë kungimi etj". Burime të Policisë shtuan se Kasaj kishte vjedhur kazanin prej bakri, duke dëmtuar me mjete të forta portën kryesor të kishës me qëllim që me kazanin e pagëzimit të prodhonte raki!. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale të gjitha sendet e vjedhura nga ky shtetas , të cilat i kishte fshehur gjysmat në disa shkurre larg kishës dhe gjysmat në banesë. Sipas statistikave të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare për qarkun e Gjirokastrës, në 17 vitet e fundit janë vjedhur 41 objekte fetare, por vetëm një këmbanë mbi 100-vjeçare është arritur të zbulohet. (d.b/BalkanWeb)