Policia e Durrësit sekuestron brenda 3 ditëve 57 kg drogë
Ndërkohë, në prangat e policisë kanë rënë gjithsej 7 shtetas, të dyshuar si prodhues apo transportues të këtyre lëndëve.
Policia e këtij qarku bën të ditur se mbrëmjen e kaluar, në fshatin Mafsheq të Krujës është arrestuar shtetasi Nel Xeka, 40 vjeç, në banesën e të cilit u gjetën dhe sekuestruan 12.6 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa. Droga ishte fshehur në një fuçi plastike prej 200 litrash.
Kontrolli i punonjësve të policisë së Krujës është zhvilluar në mënyrë të pavarur dhe nuk ka lidhje me dy operacionet që u zhvilluan në Durrës të premten dhe të shtunën, përkatësisht në Plepa, në terminalin e udhëtarëve të portit detar si dhe në Mamurras.
Mëngjesin e së premtes forcat e policisë arrestuan tre persona, të cilët transportonin nga një qytet jugor drejt Durrësit një sasi prej 20 kg kanabis sativa.
Një ditë më vonë forcat e Policisë bllokuan mbi 14 kg lëndë narkotike në një autoveturë që ishte nisur me traget drejt Italisë, si dhe 9.35 kg të tjerë gjatë një kontrolli në një banesë në Mamurras, ku bashkë me drogën, u sekuestruan edhe dy presa për përgatitjen e lëndës narkotike, dy armë dhe mbi 1000 copë fishekë.