E Shtunë, 31 Tetor 2026

T’i krehësh edhe bishtin pushtetit

Në Shqipërinë e viteve ’30 të shekullit të kaluar, kur po hidheshin mirëfilltazi bazat juridike të shtetit shqiptar, nuk mund të thuhej se format e hakmarrjeve politike qenë shterur, me gjithë dekretimin e ndonjë qeverie paksa liberale, si ajo e Mehdi Frashërit. Pas atentateve për eliminim të kundërshtarëve të Ahmet Zogut dhe regjimit të tij me parlament monokolor, ky përdorte gjithashtu edhe një formë më të zbutur për t’i bërë zap armiqtë e vet të brendshëm. Kështu veproi edhe me një mjek të diplomuar jashtë shtetit, i njohur si poliglot dhe për kulturë të gjerë në atë kohë, i cili ishte influent veçanërisht ndër familjet autoktone tiranase, prej nga e kishin origjinën edhe prindërit e tij. Për t’ia mbyllur gojën, që shpesh ‘villte vrer’ ndaj qeverisjes autokratike, një ditë të bukur u ftua në Pallatin Mbretëror, dhe pas nderimeve të rastit, Naltmadhënia i lë në dorë një botim të Kuranit në turqisht, duke iu ‘lutur’ që ta përkthente atë në shqip, gjoja për t’i shërbyer sa më shumë popullsisë vendase të besimit mysliman, që në shumicë të madhe nuk lexonte dot as në gjuhën amtare, le më pastaj në ato të huajat. I frymëzuar nga ky motiv, doktori për shumë kohë u mbyll brenda nën shoqërinë e fjalorëve, pa gjetur shumë kohë të frekuentonte mjedise publike dhe të përfshihej në lëvizje politike. Tani, kur ka kaluar rreth treçerek shekulli që nga ajo kohë, te ne pushteti shtetëror aktual dhe lideri i tij, i cili përflitet që ka prirjen për të imituar mënyrat e sundimit të diktatorëve të mëparshëm, ende nuk i kanë harruar metoda të atilla për të abuzuar vazhdimisht gjatë qeverisjes së tyre dhe për të përunjur kundërshtarët politikë, të cilët kërkojnë me zë të lartë që të kryhet transparenca e procesit të fundit zgjedhor të dhunuar, të grabitur. Në të gjithë këtë veprimtari djallëzore, dalka e nevojshme që t‘u jepen cave poste mikluese, ndërkohë që gjenden edhe të tjerë, fatkeqë prej përmbytjes së shtëpive e katandive të tyre, për t’i bërë hosonara Qeverisë, nga frika se mos kjo i lë me gisht në gojë pas katastrofës, demek natyrore, që i kaploi. Por, ja që u shfaqërka edhe ndonjë, i cili pikërisht për përfitime të mëtejshme e zbraz injorancën e vet në faqe gazete, duke i ardhur avazit drejtuesve të koalicionit maxhoritaro - delikuent ndaj deputetëve të opozitës, për t’i përunjur këta me presione ‘juridike kushtetuese’ që t’u drejtohen si grup një orë e më parë dyerve të Kuvendit të Shqipërisë. *** Kështu pra, duke qenë se çdo ditë e më tepër ‘fati’ i ushtrimit të mandateve parlamentare të deputetëve të opozitës po e shqetëson seriozisht maxhorancën dhe mbështetësit e saj, edhe një ish-anëtar i Komisionit të Hartimit të Kushtetutës dhe i Rregullores së Kuvendit, i prezantuar javën e shkuar në shtyp me këtë cilësi, përpiqet ta akordojë zërin me ta, duke hedhur rreshta të tërë nën titullin “Mandatet skadojnë më 6 Mars”. Ndoshta, sepse me këtë stilistikë e harton presionin e vet mbi opozitën Sali Berisha, ose ngaqë kështu i vjen për mirë atij autori, për të përfituar ndonjë post, pas humbjes së besimit te elektorati i vet dhe pas manipulimeve të zgjedhjeve të vjetshme, ku nuk i erdhi radha edhe atij që të fliste tani nga foltorja e parlamentit. Për të mbushur mendjen e lexuesit, në ato rreshta paraqitet përmbajtja e disa dispozitave të neneve 71 dhe 72 të Kushtetutës, të cilat në të vërtetë e kushtëzojnë ushtrimin e mandatit të deputetit me bërjen e betimit. Dhe, meqë 64 deputetët e Partisë Socialiste nuk janë paraqitur në Kuvend, pra as nuk kanë bërë betimin që në seancat e para të kësaj Legjislature, autori i atij artikulli bashkohet me mendimin dhe fërgëllimën e autoriteteve qeveritare dhe të shumicës parlamentare, të cilët kërcënojnë që ndaj këtyre deputetëve, që nëse vazhdojnë bojkotin e Kuvendit deri më 6 mars, kur kanë kaluar gjashtë muaj pas fillimit të punimeve të sesionit të parë, do të duhet të zbatohen sanksionet e parashikuara në Kushtetutë, duke nomatisur kështu djegien e mandateve të tyre. Mirëpo, afati 6-mujor i mungesës pa arsye të një deputeti, në interpretim dhe në zbatim të Kushtetutës, fillon që nga dita kur ky ka bërë betimin. Prandaj, neni 4/1 i Rregullores së Kuvendit, e cila aktualisht është në fuqi, përcakton: “Deputetët që mungojnë në seancën kur kryhet betimi, betohen në seancën më të parë në të cilën marrin pjesë”. Dhe, bashkëhartuesi i të dyja këtyre dokumenteve të rëndësishme, çuditërisht tani hidhet e pyet: “A mund të funksionojë dhe të ndërtohet shteti dhe organet e tij sipas kësaj logjike?”, me shqetësimin e tij përvëlues që deputeti nuk mund të qëndrojë për një kohë të gjatë në shtëpi po të dojë dhe sa të dojë. Për të mos e lodhur lexuesin me shpjegime debatuese të shumta dhe të detajuara, sidoqoftë mbase ia vlen këtu të pohohet ajo që shihet muajt e fundit fare mirë me sy: deputetët e opozitës nuk rrinë nëpër shtëpira, por më së shumti jashtë tyre; deputetët e opozitës nuk dalin për të hyrë nëpër lokale të ndryshme që të bëjnë orgjira apo për të luajtur kumar; deputetët e opozitës së bashku organizojnë protesta popullore dhe kërkojnë sidomos transparencë të procesit zgjedhor të vitit të kaluar, për të vërtetuar ligjshmërinë apo jo të përbërjes aktuale të këtij Parlamenti, dhe në këtë kuadër, vlerën e vërtetë të kësaj qeverisjeje. Dhe, të mos harrojmë që kemi të bëjmë me një element primar të demokracisë kushtetuese, cenimi i të cilit retushon (siç po ndodh praktikisht te ne), edhe parimin e ndarjes e balancimit të pushteteve, pavarësinë e organeve shtetërore dhe vënien e tyre nën varësinë e pushtetit ekzekutiv e të tjera, çka të gjitha së bashku rrezikojnë nxjerrjen nga binarët të shtetit të së drejtës, që është bazë e kësaj demokracie. Sidoqoftë, ish-anëtari i Komisionit të Hartimit të Kushtetutës dhe Rregullores së Parlamentit nuk tërhiqet, por i degdisur pa busull doktrinale nëpër dy dokumentet kryesore rreth kësaj teme, s’arrin dot të shprehet bindshëm edhe tek thotë se, “vetëm një mendje e çoroditur ligjërisht, që kërkon të nxjerrë përfitime politike e të shpikë kriza institucionale, mund të arsyetojë kështu duke e kthyer këtë (nisjen e afatit të mungesës së deputetit pas betimit të tij – shënimi ynë), në një fenomen vetëm shqiptar, që nuk ka Kushtetutë në botë që e parashikon apo e zgjidh”. Nëse ai e konsideron Shqipërinë si vendin me nisma dhe reforma qeveritare, që sipas Berishës, ia certifikon tërë planeti, prandaj nuk kanë vlerë referencat me vendet e tjera demokratike, kjo është tjetër gjë. Por, pa qenë nevoja të hedhim vështrimin shumë larg, ndoshta mjafton të përqendrohemi në vende të afërme, si për shembull Bullgaria, Kushtetuta e së cilës parashikon mbarimin para kohe të mandatit për disa shkaqe të njohura edhe te ne, por pa përmendur ndonjë afat të mungesave të deputetit përpara apo pas betimit. Kështu shprehen edhe kushtetutat e Hungarisë dhe Rumanisë. E vetmja që përmend humbjen e mandatit për mungesë të pajustifikueshme mbi 6 muaj në Parlament është Kushtetuta e Maqedonisë, duke parashikuar, ndërkohë, që vendimi për këtë masë duhet të merret nga parlamenti me votat e 2/3–ve të të gjithë deputetëve. Ndërsa, te kushtetutat e shumë vendeve të tjera demokratike të Europës, si edhe te ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk të zë syri dhe të lexosh ndonjë dispozitë për përfundimin e mandatit të parlamentarit. *** Më pas, në unison me ‘padronët’ e tij, ish-anëtari i Komisionit të Hartimit të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit përpiqet, me mënyrën e tij jo metodike, t’i përgjigjet pyetjes së shtruar nga po ai: “çfarë mund të ndodhë më 6 mars, në rast se vetë deputetët e munguar e kanë përcaktuar fundin e tyre ligjor”? Paraprakisht duhet përmendur se, asnjë prej deputetëve opozitarë të Partisë Socialiste deri tani nuk kanë deklaruar në mënyrë publike përpara Komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin, sikurse as heqjen dorë nga mandati. Përkundrazi, siç janë shprehur edhe vetë, nuk kanë ndërmend t’i kryejnë këto veprime as në të ardhmen, “për të përcaktuar fundin e tyre ligjor”. Dhe, pavarësisht këtij realiteti, ai ish-anëtar komisionesh, pa kursyer as sugjerime për kryetaren e Parlamentit, nuk mund rrijë pa përfunduar, që në seancën e 6 marsit – sipas tij, Kuvendi i Shqipërisë detyrohet të bëjë njoftimin e mbarimit të mandatit të deputetëve opozitarë. Po për zëvendësimin e tyre, çfarë do të bëhet? Aq më tepër, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i ka votat e mundshme për të vendosur shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore. Si edhe nëse kandidatët me emrat vijues në listat e Partisë Socialiste nuk do të dëshironin t’u ‘rrëmbenin’ mandatet kolegëve të tyre. Aq më tepër, gjithashtu, kur fjala është për një grup të tërë parlamentar, zëvendësimi i të cilit është jashtë çdo logjike, juridike e politike, dhe do të përbënte një veprim të përshpejtuar, pa precedent në praktikën parlamentare të vendeve demokratike. Por, përgjigjja e kësaj pyetjeje dhe sqarimi i hamendjeve të rrjedhura prej saj, me sa duket, dalin jashtë kompetencave të atij ish-anëtari komisionesh dhe i disa të tjerëve si ky, që e konsiderojnë detyrë të vetën t’i krehin edhe bishtin pushtetit, pavarësisht që ndërmarrja e atij veprimi nga ana e maxhorancës parlamentare do të thellonte edhe më shumë krizën politike që ka pllakosur, duke sjellë pashmangshmërisht destabilizimin e vendit; pavarësisht se kjo maxhorancë do t’i përngjante në këtë mënyrë atij fermerit të ngratë inatçor që kërkonte dikur të shkulte rrënjët e një peme, duke menduar se kështu do të forconte trungun dhe degët e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›