Konfindustria: Qeveria të kryejë amnistinë fiskale

Në kushtet kur ekonomia shqiptare po ndjen gjithnjë e më shumë pasojat e krizës ekonomike globale, Konfindustria kërkon kryerjen e një amnistie fiskale. Administratori i përgjithshëm i Konfederatës së Industrive të Shqipërisë, Gjergj Buxhuku sqaron se çdo vonesë në kryerjen e kësaj aministie rrit rrezikun e largimit të parave shqiptare jashtë vendit, frenimin e nismave investuese si dhe tërheqjen e kursimeve të emigracionit shqiptar nga bankat e huaja. Buxhuku thekson më tej se kryerja e amnistisë bëhet një domosdoshmëri në kushtet e hyrjes në fuqi të ligjit antimafia.
“çdo vonesë e Shqipërisë krijon rrezikun e shtimit të daljes së parave
shqiptare jashtë vendit për të kaluar në sistemet bankare të vendeve të
tjera, duke shkaktuar dëme të jashtëzakonshme në sistemin tonë fiskal
dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Së dyti, kryerja e amnistisë sa më të
shpejtë dhe gjithëpërfshirëse fiskale bëhet domosdoshmëri në kushtet e
hyrjes në fuqi të Ligjit Anti Mafia, që në rast të kundërt rrezikon
seriozisht pasurinë dhe kapitalet e një shumice dërrmuese të biznesit
dhe qytetarëve, me pasoja pothuaj shkatërruese mbi ekonominë shqiptare.
është krejtësisht e papranueshme, që në një hapësire kohore 20 vjeçare
të ndryshimeve të thella ekonomike, fiskale dhe institucionale,
Shqipëria të mbetet i vetmi vend në Europë përfshi këtu edhe vendet e
BE, që nuk ka kryer asnjë amnisti fiskale të vërtetë” tha Buxhuku.