E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitja e Intesa Sanpaolo Bank, shoqërohen 30 vetë

Policia e Vlorës ka ndërmarrë një aksion në lidhje me ngarjen e një dite më parë, ku iu grabit filiali “Intesa Sanpaolo Bank”, duke shoqëruar 30 persona të dyshuar se mund të kenë lidhje me ngjarjen. Policia ka vënë në dispozicion 30 mijë euro për çdo informacion të vlefshëm. 

VLORË-Policia e Vlorës ka shoqëruar 30 persona të dyshuar se mund të kenë lidhje me ngjarjen e një dite më parë, kur persona të paidentifikuar grabitën filialin e “Intesa Sanpaolo Bank” në këtë qytet, duke përvetësuar vlera të konsiderueshme financiare. Zëdhënësi i policisë së qarkut të Vlorës, Saimir Koçiaj tha sot në një konferencë për shtyp se “është zbardhur skema e grabitjes, protagonistë të të cilës kanë qenë tre persona të cilët nën kërcënimin e armës kanë hyrë në mjediset e bankës, duke marrë prej saj vlera të konsiderueshme financiare”. Sipas Koçiajt, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me një automjet tip Benz 270, të cilin e kanë braktisur në periferi të qytetit të Vlorës, në afërsi të Shkollës së Marinës, duke i vënë zjarrin. Koçiaj tha se hetimet e policisë për zbardhjen e ngjarjes janë intensifikuar dhe për rrjedhojë janë shoqëruar e marrë në pyetje 30 persona që dyshohet të kenë lidhje me të. Zëdhënësi i policisë së qarkut të Vlorës i bëri thirrje komunitetit të bashkëpunojë për zbardhjen e ngjarjes, duke u shprehur se “policia ka vënë në dispozicion 30 mijë euro për çdo informacion të vlefshëm që mund të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve”.
Mesditën e djeshme, tre persona të maskuar dhe të armatosur hynë në mjediset e filialit të bankës “Intesa Sanpaolo” në lagjen “Pavarësia”, në Vlorë, duke marrë një shumë të konsiderueshme financiare, që nuk saktësohet nga policia. (m.a/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›