MASH: Universitetet 2257 kuota të paplotësuara
TIRANË- MASH ka bërë të ditur se janë rishpërndarë gjithsej 2. 257 kuota të parealizuara në të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë. Sipas këtij dikasteri, të drejtën për të plotësuar formularin A3 e kanë të gjithë kandidatët, të cilët nuk kanë mundur të përfshihen në listat e fituesve për t’u regjistruar në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në institucionet publike të arsimit të lartë në vitin akademik 2009 - 2010, nuk janë përfshirë në listat e fituesve dhe nuk janë regjistruar në institucionet publike të arsimit të lartë si dhe fituesit e regjistruar në një program studimi në vitin akademik 2009-2010, por që nuk preferojnë të ndjekin atë program studimi. Këto kandidatët duhet të paraqiten në Drejtoritë Rajonale ose Zyrat Arsimore (DAR/ZA) përkatëse deri në datë 16 tetor 2009, ora 18.00, për të bërë kërkesë për plotësimin e formularit A3. Pas kësaj, formulari A3 do të shpërndahet në DAR/ZA në datë 21 tetor 2009. Kandidatët pasi ta plotësojnë, duhet ta dorëzojnë formularin A3 po në DAR/ZA deri më 26 tetor.
Katër ditë më vonë Agjencia e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë do të shpallë listën përfundimtare të kandidatëve fitues të ndarë. Ndërsa Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, nga 31 tetori do të shpallin në vende të dukshme, në mjediset e tyre, datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit/çregjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme për regjistrim, si dhe të dhëna të tjera që i gjykojnë të nevojshme për sigurimin e ecurisë normale të procesit të pranimeve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë.
Rreth 30 mijë studentë nisin DJE për herë të parë studimet me kohë të plotë e të pjesshme në të gjitha ciklet e studimeve në rang vendi, ndërkohë që numri i përgjithshëm i studentëve për këtë vit akademik (2009-2010) arrin në mbi 100 mijë. Në vend numërohen 11 universitete publike dhe mbi 20 te tjerë janë private
(m.a/BalkanWeb)