Fazlliç dhe Lazareviç, biznes karburantesh në Shqipëri
Lidhja mes Damir Fazlliçit dhe pronarit të firmës serbe, RUDNAP, (Vojin Lazareviç), është kristalizuar qartazi në mes të Tiranës, në dy firma të përbashkëta karburantesh. Kjo edhe falë kontributit të studios legale të Flutura Kolës, e cila është e njohur për ortakërinë që ka në këtë fushë me familjarë të kryeministrit Berisha. Dokumenti tregon se më 21 qershor 2007, Fazlliç dhe Lazareviç nëpërmjet firmës së tyre qipriote “Poligraf Invests Limited” kanë autorizuar avokaten Flutura Kola të bënte regjistrimin në Tiranë të firmave “Petrol Slovenia Tirana Wholsale” dhe “Petrol Slovenia Tirana Distribution”. Këto dy firma u regjistruan zyrtarisht në gjykatë më 6 korrik 2007 dhe në bazë të dokumentacionit zyrtar (të siguruar në Qendrën e Regjistrimit të Biznesit në Tiranë), rezulton se ato kontrollohen nga dy firma të ndryshme në ortakëri me njëra-tjetrën. Njëri prej ortakëve është firma sllovene “Petrol Slovenia” (me 51% të aksioneve), ndërsa ortaku tjetër është firma qipriote “Poligraf Invests Limited” (me 49% të aksioneve). Pikërisht në firmën qipriote “Poligraf Invests Limited” zbardhet dhe ortakëria mes Fazlliçit dhe Lazareviçit, të cilët janë bashkëpronarë të kësaj firme që operon nga Nikozia. Zyrtarisht, firmat “Petrol Slovenia Tirana” dhe “Poligraf Invests Limited” kanë përfaqësues në Tiranë, zotërinjtë Roman Mazi, shtetas slloven (për “Petrol Slovenia”) dhe Dushan Gërbiç, shtetas serb (për “Poligraf Invests Limited).
Personi i kontaktit
Nga verifikimi dhe krahasimi i dokumenteve rezulton se ka një person që lidh historinë e kësaj firme të panjohur të Fazlliçit me firmën “Crown Acquisitions”, e cila është bërë objekt i hetimit nga prokuroria shqiptare. Në të dyja rastet janë prokurat për zonjën Flutura Kola ato që nxjerrin në pah këtë person. Sikurse në rastin e blerjes së firmës “Crown Acquisitions”, firma qipriote “Altaria Research Limited” autorizoi Kolën me prokurë të kryente blerjen, ndërsa në prokurë kishte nënshkruar në cilësinë e drejtoreshës së firmës zonja Janula Markantoni. Por dokumentet zyrtare të firmës tjetër qipriote, “Poligraf Invests Limited”, nxjerrin në pah sërish zonjën Markantoni, e cila ka nënshkruar sërish si drejtoreshë e kësaj firme. Në të dyja rastet zonja Kola është emëruar përfaqësuese e firmave qipriote me nënshkrim të drejtoreshës Janula Markantoni dhe në të dyja rastet Damir Fazlliç rezulton protagonist. Madje, në rastin e prokurës së firmës “Poligraf Invests Limited” ai është caktuar (së bashku me Vojin Lazareviçin dhe Dushan Gërbiç) anëtar i bordit drejtues të firmave “Petrol Slovenia Tirana”. Kjo pasqyrë e të dhënave është e mjaftueshme për të kuptuar se ka një lidhje mes këtyre firmave të panjohura më parë dhe firmave të tjera të regjistruara nga Fazlliç në Tiranë, për të cilat prokuroria po heton.
Lidhja RUDNAP
Firma qipriote “Poligraf Invests Limited” është e përbërë nga dy firma të ndryshme (“Balmeran Limited” dhe “Sentono Limited”), të cilat me shumë gjasa janë në pronësi përkatësisht të Fazlliçit dhe Lazareviçit. Është në natyrën e firmave qipriote që të krijojnë të ashtuquajturat “labirintet e ortakërisë”, në mënyrë që të vështirësojnë lokalizimin e pronarëve të vërtetë dhe ndjekjen e gjurmëve, në rast se shfaqet ndonjë problem apo hetim zyrtar. Megjithatë, sot rezulton se zoti Fazlliç është i lidhur në mënyrë të dyfishtë me firmën RUDNAP. Lidhja e parë është nëpërmjet firmës qipriote “Altaria Research Limited”, për të cilën vetë Fazlliç deklaroi se e kishte në pronësi. Por, sikurse është zbuluar më parë, rezulton se pikërisht kjo firmë qipriote ka krijuar në Zagreb firmën “Rudnap Energija d.o.o”. Por përpos kësaj lidhjeje sot rezulton se Fazlliç është direkt ortak në Qipro dhe Tiranë (nëpërmjet “Poligraf Invests Limited”) me Vojin Lazareviçin, bosin e firmës serbe RUDNAP.
Marrë nga gazeta e përjavshme “LAJMI”
Kush është Vojin Lazareviç
Bosi i RUDNAP-it, Lazareviç: “Me Tom Ridge dhe Damir Fazlliç diskutuam mbi tregtinë e armëve dhe investimet në energjitikë”.
Intervista e Vojin Lazareviçit, që bëri xhiron e botës. Çfarë tha Lazareviç për atë që u quajt “darka sekrete”
Quhet Vojin Lazareviç dhe është numri 1 i bordit drejtues së kompanisë RUDNAP. Jo më larg se shtatori i vitit 2007, gazeta “Slobodna Bosna” u hap me një kryeartikull, në të cilin flitej për një darkë sekrete të zhvilluar po atë muaj mes disa njerëzve shumë të pushtetshëm të mbledhur dhe të thirrur nga Farudin Radonica, një pronar i fuqishëm mediesh në Bosnjë, i përfolur për lidhje dhe shantazhe për tenderë. Bëhej fjalë për një takim, ku ishin të pranishëm Vojin Lazareviçi, bosi i RUDNAP; Nexhat Brankoviç, kryeministër i Bosnjës; Tom Ridge, lobist, amerikan; Damir Fazlliç, biznesmen, dhe Almir Dzhuvo, kreu i Shërbimeve Sekrete të Bosnjë-Hercegovinës. Artikulli krijoi sensacion të madh dhe si për të mësuar diçka më tepër televizioni shtetëror boshnjak i mori një intervistë televizive bosit të RUDNAP-it, Vojin Lazareviç. Pjesë të rëndësishme të kësaj interviste televizive u botuan të transkriptuara tre muaj më parë në gazetën “Albania”, ndërsa përmbajtja e saj jep të dhëna interesante mbi disa personazhe që kanë lidhje direkte me Tiranën zyrtare. Në një nga të paktat prononcime publike, Lazareviç hodhi dritë mbi takimin duke pohuar detaje që krijuan shumë sensacion në Bosnjë dhe në Serbi. Tashmë, Lazareviç dhe Fazlliç rezultojnë ortakë në Tiranë, ndërsa zoti Ridge shërbeu për dy vite si këshilltar “special” i kryeministrit Berisha. Për cilindo kureshtar videoja gjendet dhe online (në adresën: http://www.youtube.com/watch?v=uSGMOaNQ_Tk&eurl=http://209.85.129.132/search?q=cache:yLx-7_CR9ÇJ:www.24sata.info/inc/print.php%3Fid%3D9867%26TB_iframe%3Dtrue)
(Pjesë nga biseda e transkriptuar)
... Cilat janë kontaktet tuaja me Farudin Radonicën?
Me zotin Radonica pata kënaqësinë të takohem, sepse ai është një biznesmen i suksesshëm dhe një investitor i rëndësishëm në fushën mediatike.
Bëtë ndonjë marrëveshje bashkë?
Jo, nuk arritëm në ndonjë marrëveshje. Ai operon në media dhe s’kemi ndonjë lidhje bashkë. Por pata kënaqësinë të takoja zotin Tom Ridge, i cili ka qenë këshilltar i presidentit Bush për Sigurinë. Zoti Ridge mendoj se është pranë disa firmave amerikane që kanë interes për të operuar në sektorin e tregut të armatimeve në Bosnjë-Hercegovinë dhe patëm mundësinë të bisedonim për këtë. Pastaj folën dhe për investimet në energjitikë.
Thatë sektorin e tregut të armatimeve?
Epo folëm dhe për këtë, sepse shoqëritë që përfaqëson zoti Ridge, në këtë sektor operojnë kryesisht.
Me këtë po thoni se është shfaqur interes për të investuar në këtë lloj industrie?
Këtë nuk mund ta them unë... Shikoni, shikoni, kjo është pyetje vërtet interesante, por unë me këtë lloj industrie s’jam marrë ndonjëherë.
Po çfarë mund të mbledhë së bashku në një darkë pune biznesmenë si ju, si zoti Radonica, si zoti Fazlliç, apo lobistë si Tom Ridge, apo dhe shefin e Shërbimeve Sekrete boshnjake, Almir Dzhuvo?
Po çfarë mund t’i mbledhë....? Unë e pashë si mundësi të mirë për të njohur kryeministrin e një vendi të rajonit, si dhe zotin Ridge, që përfaqëson një njeri serioz në politikë dhe në biznes.
Pra, ju po thoni që ishte i pranishëm dhe kryeministri Nexhat Rankoviç. E konfirmoni sërish?
Po, po. Ishte, ishte.
Në mediet serbe është shkruar se ju keni biznese dhe me Zhelko Raznatoviçin, Arkanin.
E pranoj që kam pasur biznese me të. Por nuk është se kam pasur ndonjë miqësi apo shoqëri me zotin Raznatoviç. Kemi qenë të zënë në bizneset tona dhe kemi pasur disa ortakëri. Vetëm kaq.
Në fillim të viteve ‘90 keni qenë zëvendëskryetar i Partisë Nacionale të Malit të Zi, që e ka mbështetur hapur Radovan Karaxhiçin. Kështu është?
Do të ishte mirë të kontrollonit njëherë. Nuk kam qenë kurrë zëvendëskryetar, por anëtar dhe financues. Më vonë, pas rrëzimit të Sllobodan Millosheviçit, mora post në këtë parti.
Jeni penduar për bashkëpunimet dhe qëndrimet tuaja në të kaluarën?
Jo, nuk mund të them se kam ndonjë pendesë për aktivitetin tim. Po shikoni...., se kohët ndryshojnë, njerëzit evoluojnë. Prandaj nuk bëhet fjalë për pendesë, por për evoluim do të thosha unë.