Grabitja e bankës në Tiranë, 3 të arrestuar
Tiranë- Policia e kryeqytetit ka arrestuar sot tre persona të dyshuar si autorë të grabitjes së filialit të një banke greke.
Mësohet se peronat e ndaluar, në baza të hetimeve paraprake janë përgjegjës për grabitjen e kryer ditën e premte në autostradën që lidh Tiranën me Durrësin.
Sipas policisë janë ndaluar shtetasit; Fatjon Karanxha, 22-vjeç, lindur e banues në Domje Tiranë; Luan Kuçi, 22- vjeç, lindur dhe banues në Domje dhe Edmir Shehi, 18-vjeç, lindur dhe banues në Yrshek Tiranë.
Shtetasit Fatjon Karanxha dhe Luan Kuci, u kapën të fshehur në një banesë të ndodhur në fshatin Domje Tiranë, ndërsa shtetasi Edmir Shehi u kap në rrethin e Dibrës, falë bashkëpunimit me Drejtorinë e Policisë së Rrethit Dibër.
Ngjarja ndodhi ditën e premte, në filialin e një banke greke në Tiranë, kur persona të armatosur e më maska grabitën një shumë të konsiderueshme parash dhe u larguan.
Pas ngjarjes, në vend shkuan forca të shumta policore, por u njoftua se autorët ishin larguar pa gjurmë. Pas kësaj, policia shoqëroi 12 persona si të dyshuar, deri sa sot ka mbërritur në ndalimin e të dyshuarve si autorë.