E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, dështon ankandi për makinat e bllokuara

Vlorë- Dështon ankandi i sotëm për shitjen e makinave të bllokuara në Drejtorinë e Rezervave të Shtetit të degës Vlorë. Kanë qenë vetë firmat e paraqitura, të interesuara për blerjen e automjeteve për skrap, të cilat janë shprehur të pakënaqura me çmimin e vendosur nga drejtoria.

Sipas burimeve zyrtare mësohet se në ankand u paraqitën 12 subjekte, kryesisht nga Fieri. Në akand për shitje ishin 898 makina të bllokuara nga qarku i Vlorës, 65 nga qarku i Gjirokastrës si dhe një anije.

Çmimi i vendosur nga drejtoria që zhvillonte edhe ankandin ka qenë 30 lekë për kilogramë duke përfshirë edhe TVSH-në.

Por ky çmim ka shkakuar pakënaqësi te firmat, sipas të cilave rënia e çmimit të hekurit në treg nuk e justifikon tarifën e vendosur për këtë shitje.

Vetë drejtuesit e Drejtorisë kanë deklaruar se janë të paqartë për motivet që kanë detyruar përfaqësuesit e firmave të hiqnin dorë. Nga ana tjetër, përfaqësuesit kanë pritur mbi një orë për ndonjë marrëveshje të mundshme për çmimin, por kjo ka qenë e pamundur.

“Çmimi është vendosur një ditë para afatit ashtu si e parashikon ligji”- thanë drejtuesit e drejtorisë, të cilët bëjnë me dije se përsëritja e ankandit do të bëhet pas 30 ditëve sipas procedurave ligjore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›